Limaj në Lezhë nderohet me titullin “Nderi i qarkut”

Limaj tha se këtë nderim e ndan me të tjerë bashkëveprimtarë

Këshilli i qarkut Lezhë i akordoi të enjten kreut të Nisma, Fatmir Limaj titullin “Nderi i qarkut”, me motivacionin simbol i luftëtarit dhe komandantit atdhetar, politikanit vizionar e të palodhur për integrimin euroatlantik dhe prosperitetin kombëtar.

Edhe pse fushatë elektorale, për të nderuar Limajn u bashkuan politikanë të majtë e të djathtë. Pasi mori vlerësimin, Limaj tha se këtë nderim e ndan me të tjerë bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë, si dhe me qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, vlerësimi vjen nga një qark që në të vërtetë është simbol i kombit.

Ndërsa kreu i bashkisë Lezhë Fran Frrokaj deklaroi se shqiptarët nuk janë plangprishësit e Ballkanit, por kombi shtet-formues.

“Ju keni vendin tuaj të lavdishëm në luftën e Kosovës, e kështu do të jeni pjesë e historisë. Shqiptarët kudo janë, e sigurisht edhe ju z. Limaj, nuk janë plangprishësa, por shtet-formues dhe në këto kushte jam i bindur se do të vazhdoni të kontribuoni për vendin dhe prosperitetin që shqiptarët kanë në rajon”, tha Frrokaj.

Limaj i bashkohet figurave të tjera kosovare që Lezha ka nderuar në vitet e fundit, kryesisht për angazhimin e tyre në çështjen kombëtare.

Back to top button