LSDM-ja dhe “BESA” në koalicion parazgjedhor!

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Deri në fund të javës pritet të zyrtarizohet koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Socialdemokrate të Zoran Zaevit dhe Lëvizjes “Besa” të Bilall Kasamit. Këtë për TV21 e konfirmojnë burime të larta brenda “Besës” të cilët pohojnë se gjatë fundjavës ka pasur takime mes palëve.

“Gjatë vikendit ka pasur takime intensive dhe të gjitha detajet pritet të përmbyllen brenda kësaj jave. Kryetari Bilall Kasami do të jetë bartës liste në njësinë 6, ndërsa në zonat e tjera zgjedhore ku ka shqiptarë Lëvizja “Besa” do të ketë vende të sigurta për deputetë”, thonë burime nga Lëvizja Besa për TV21.

Nuk pritet që pjesë e këtij koalicioni të jetë edhe ndonjë parti tjetër shqiptare, thonë burime nga “Besa”. Po të njëjtat pohojnë për TV21 se shkuarja e kreut të “Besës” Bilall Kasami në SHBA lidhet me koalicionin që pritet të bëhet, e kjo për shkak se siç thonë burimet, “ky koalicion ka promotor SHBA-të dhe ata janë garant”.

Nga LSDM nuk zbulojnë asgjë. Nënkryetari Kosta Petrov thonë se sipas asaj që di ai, nuk ka pasur takime mes zyrtarëve të partisë së tij dhe atyre të “Besës”.

“Ende është herët që të definohet se kush do të jetë partneri ynë i koalicionit, e dini që bisedimet janë në rrjedhë, jemi parti e hapur dhe menjëherë sa të kemi informacione do t’u informojmë”, deklaroi Kosta Petrov nga LSDM.

Dje TV21 nga burime të LSDM-së mësoi se brenda partisë është duke u zhvilluar debat për listat dhe se nënkryetari Muhamed Zekiri, insiston që të jetë bartës në njësinë zgjedhore 6, ku dëshiron të përballet me Ali Ahmetin e megjithatë siç mëson TV21, LSDM-ja nuk është e kënaqur me këtë ide, duke i qëndruar asaj se në zonën numër 6 bartës duhet të jetë lideri i partisë shqiptare me te cilën LSDM do të shkojë në koalicion parazgjedhor.

Në një situatë të tillë, burime nga LSDM-ja thonë se Zekiri mund të jetë i treti në listën e njësisë 2 ku bartës pritet të jetë kryeministri teknik Oliver Spasovski./21Media

Back to top button