Lushtaku: Rrethanat e këtij rasti janë të montuara kundër meje e familjes time
(Përditësuar, ora 19:55)-Ish-nënkryetarit të Skënderajt, Nuredin Lushtaku, i dyshuar për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skënderaj, në fjalën e tij para gjykatës tha se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes se tij.
“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë te montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.
Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë e çudit fakti se si polici po bëhet viktimë nga prokuroria.
“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policet e tjerë e kam parë që kanë përdorë sprej, çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtu neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, masi që ka gjujt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hjeke revolen mos me vra dikon”, ka thënë Lushtaku në gjykatë.
Ai ka shtuar se askush nuk ka nevojë të ketë frikë prej tyre, as policia dhe as prokuroria.
Prokuroria: Lushtaku ia kishte dërguar Bekim Jasharit armën e njërit polic.
Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është duke u mbajtur seanca e paraburgimit ndaj ish-nënkryetarit të Skënderajt, Nuredin Lushtaku dhe të dyshuarve tjerë për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në Skënderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thënë se ka kërkuar këtë masë për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurorisë pas përleshjes që familja Lushtaku kishte pasur me zyrtarët policorë, Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetari i Skënderajt, ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, ish-kryetarit të komunës Bekim Jasharit e pastaj ky i fundit e kishte dorëzuar në Polici.
Prokuroria ka thënë se Lushtaku kishte shkuar me dy vëllezërit e tij pasi i kishte thirrur djali i tij pas një dënimi që i kishin shqiptuar zyrtarët policorë.
Seanca është duke vazhduar.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë të hënën gjatë ditës i ka kërkuar Gjykatës Themelore që t’ua caktojë masën e paraburgimit dy të dyshuarve për rastin e plagosjes së dy policëve të shtunën mbrëma në Skënderaj, F.L. dhe A.L., ndërkohë që ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku është shpallur në kërkim.
Pas shpalljes në kërkim, Lushtaku është dorëzuar në Polici./BetimipërDrejtësi