Mbaron dëshminë dëshmitari i 42-të, ZPS thotë se i radhës do të flasë për një vrasje të paligjshme në zonën e Llapit

(Lajm i përditësuar)


Pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarit të 42-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 43-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W04870 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ndonëse seanca ishte private, DhSK ka njoftuar se dëshmia e këtij dëshmitari ka të bëjë me vrasjen e paligjshme të një viktime, e cila pretendohet se është bërë pas arrestimit dhe mbajtjes nga anëtarë të UÇK-së në zonën e Llapit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Para se të niste dëshmia e këtij dëshmitari, avokati i Veselit, Ben Emmerson kërkoi që të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje që ndërlidhet me dëshmitarin, i cili do të dëshmojë pas këtij të tanishmit.

Pas kësaj, e vetmja gjë që u bë në seancë publike ishte prezantimi i disa dokumenteve nga ZPS-ja, ku iu kërkua dëshmitarit që të konfirmojë se a qëndron prapa atyre përmbajtjeve.

Këto materiale u pranuan si prova me urdhër të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III.

Me arsyetimin që të mbrohet identiteti i dëshmitarit, seanca kaloi sërish në sesion privat dhe si e tillë është duke vazhduar./betimipërdrejtësi


Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Dëshmitari pretendon se u rrah nga anëtarët e UÇK-së

Është duke vazhduar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku është duke dëgjuar dëshmitari i radhës i prokurorisë, identiteti i të cilit nuk dihet meqë është dëshmitar i mbrojtur.

Dëshmitari i sotëm e lexoi deklaratën e betimit në gjuhën shqipe, dhe tha se “më mirë e di gjuhën shqipe sesa atë serbe”- duke kërkuar që dëshminë e tij gjatë ditës së sotme ta jepte në gjuhën shqipe.

Nga përmbledhja e lexuar nga Prokuroria e Specializuar, u tha se ky dëshmitar në qershor të vitit 1999 u rrëmbye nga anëtarët e UÇK-së, dhe u dërgua në një vend në Prizren, ku kishte parë edhe anëtarë tjerë të UÇK-së dhe të ndaluar tjerë që ishin aty.

Sipas tij, në atë vend, ai ishte maltretuar, ishte marrë në pyetje dhe ishte rrahur mizorisht, ku edhe sot ai sipas prokurorisë ka pasoja në shëndetin e tij.

Përmes video-lidhjes në seancë janë Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, kurse të akuzuarit Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli janë prezent në sallë fizikisht.


Gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon edhe sot

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Back to top button