Mbi 18.000 raste me linë e majmunëve në botë, shumica në Evropë

Më shumë se 18,000 raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 78 vende, tha të mërkurën Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai tha se ka pasur pesë vdekje nga lija e majmunëve ndërsa 10% e rasteve janë pranuar në spital, transmeton rtv21.tv.
Tedros tha se shpërthimi mund të përmbahet për sa kohë që vendet, komunitetet dhe individët i marrin seriozisht rreziqet e virusit.
Aktualisht, 98% e rasteve janë te burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra të tjerë. Drejtori i Përgjithshëm rekomandon që ata të zvogëlojnë numrin e partnerëve seksualë.
Lija e majmunëve, të cilën OBSH e shpalli një emergjencë globale javën e kaluar, mund të përhapet nga personi në person përmes kontaktit seksual, puthjes, përqafimit dhe përmes veshjeve, peshqirëve dhe çarçafëve të kontaminuar.
OBSH rekomandon vaksinime të synuara për ata që janë ekspozuar dhe për ata me rrezik të lartë ekspozimi, si punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e laboratorit dhe ata me partnerë të shumtë seksualë. OBSH është kundër një plani të vaksinimit masiv në këtë kohë.
Një vaksinë kundër lisë, e njohur si MVA-BN, është miratuar për përdorim kundër lisë së majmunëve në Kanada, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht kësaj, OBSH-së ende i mungojnë të dhënat për efektivitetin e vaksinave dhe për këtë arsye u bën thirrje të gjitha vendeve që përdorin vaksina të ndajnë të dhënat e tyre.
Vaksina kundër lisë së majmunit mund të zgjasë deri në disa javë përpara se mbrojtja të hyjë në fuqi dhe OBSH këshillon marrjen e masave të vazhdueshme për të shmangur ekspozimin.
OBSH dëshiron që vendet që kanë akses në vaksinën e lisë, ta ndajnë atë me ato që nuk e kanë./21Media

Back to top button