Mbi 33.000 viktima nga tërmetet, OKB pret që numri të dyfishohet

Kombet e Bashkuara dënuan dështimin për të ndihmuar rajonet e Siris, teksa paralajmëruan se numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, që ka arritur në mbi 33.000 mund të dyfishohet.
“Deri më tani, kemi parë dështim për të ndihmuar banorët në veriperëndim të Sirisë. Ata me të drejtë ndihen të braktisur. Ata po presin ndihmën ndërkombëtare që ende nuk ka ardhur”, tha shefi për ndihmë i OKB-së, Martin Griffiths.
Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë një bebe shtatëmuajsh dhe një vajzë adoleshente nga rrënojat të dielën, teksa Griffiths ka vizituar Turqinë dhe më pas Sirinë më 12 shkurt.
Dhjetëra mijëra punëtorë të shpëtimit po vazhdojnë operacionet për të gjetur të mbijetuar, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë rrënduar gjendjen e miliona personave që tani kanë nevojë për ndihmë.
Për shkaqe sigurie, disa operacione të ndihmës janë pezulluar dhe dhjetëra persona janë arrestuar për shkak të plaçkitjeve apo tentimit për të mashtruar viktimat pas tërmeteve në Turqi, ka raportuar media shtetërore.
Por, në gjithë këtë situatë të rënduar, ende po shpëtohen persona nga rrënojat.
“A ka botë këtu?”, pyeti 70-vjeçarja Menekse Tabak kur u nxor nga rrënojat në qytetin jugor të Kahramanmarashit – epiqendra e tërmetit prej 7.8 ballësh që goditi vendin të hënën.
Një bebe shtatëmuajsh, i quajtur Hamza, po ashtu u shpëtua në Hataj pas më shumë se 140 orë pas tërmeteve, ndërkaq Esma Sultan, 13 vjeçe, po ashtu u shpëtua në Gaziantep, raportoi media shtetërore.
Familjarët janë në garë kundër kohës për të gjetur trupat e pajetë të më dashurve të tyre.
“Ne kemi dëgjuar [autoritetet] se nuk do të mbajnë më gjatë trupat pas një periudhe të caktuar, ata kanë thënë se do t’i varrosin”, tha Tuba Yolcu nga Kahramanmarash.
Griffiths nga OKB, gjatë vizitës në Kahramanmarash tha se ai pret që numri i viktimave “të dyfishohet, apo edhe më shumë”.
“Shumë shpejt, ekipet e kërkim-shpëtimit do t’i lirojnë rrugën agjencive humanitare, detyra e të cilëve gjatë muajve të ardhshëm është që të përkujdesen për këtë numër kaq të madh të personave të prekur”, tha ai përmes një video të postuar në Twitter.
OKB-ja ka paralajmëruar se të paktën 870.000 persona kanë nevojë urgjente për shujta të ngrohta në mbarë Turqinë dhe Sirinë. Vetëm në Siri, deri në 5.3 milionë persona mund të mbesin të pastrehë.
Pothuajse 26 milionë persona janë prekur nga tërmetet, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ajo bëri një apel të ri të shtunën për 42.8 milionë dollarë për t’u përballur me nevojat e menjëhershme shëndetësore.
OBSH-ja paralajmëroi se dhjetëra spitale janë dëmtuar.
Agjencia turke e fatkeqësive tha se mbi 32.000 persona nga organizatat turke po punojnë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Po ashtu, në këtë shtet janë edhe 8.294 shpëtimtarë ndërkombëtarë.
Restorantet po punojnë në qytetin e Gaziantepit së bashku me mijëra vullnetarë, për të ndihmuar që të ushqehen banorët.
“Kolegët tanë janë në situatë të keqe. Familjarët e tyre janë viktima dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar”, tha Burhan Cagdas, pronar i një restoranti që po jep deri në 4.000 vakte ushqimore falas në ditë, që kur ndodhi tragjedia.
Familjarët e tij po flenë në makina që nga e hëna në qytetin ku kanë vdekur të paktën 2.000 persona dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë detyruar të flenë jashtë për shkak se shtëpitë e tyre nuk janë të sigurta.
Është raportuar për përplasje dhe zyra për të drejtat e njeriut e OKB-së të premten u bëri thirrje të gjitha palëve në zonat e prekura – ku operojnë militant.
Ushtarët austriakë dhe punëtorët e shpëtimit gjermanë kanë pezulluar operacionet e tyre për disa orë të shtunën në Hataj, duke u thirrur në shkaqe sigurie, për shkak të të shtënave midis grupeve lokale.
Partia e paligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohen grup terrorist nga Ankaraja dhe aleatët perëndimorë, ka njoftuar për një ndërprerje të përkohshme të luftimeve me qëllim që të mund të vazhdohen operacionet e kërkim-shpëtimit.
Pikëkalimi kufitar midis Armenisë dhe Turqisë u hap të shtunën pas 35 vjetësh, me qëllim që kamionët me ushqime dhe ujë të mund të shkojnë në zonat e prekura nga tërmetet.
Dërgimi i ndihmës në Siri ka qenë i ngadalshëm. Ky shtet ka sistem të shkatërruar shëndetësor për shkak të luftës së gjatë civile dhe pjesë të shtetit ende mbeten nën kontrollin e rebelëve.
Shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus, të shtunën dërgoi një avion me ndihmë dhe pajisje mjekësore në Alepon e prekur nga tërmetet.
Tedros pa nga afër zonat e prekura të qytetit dhe u takua me dy fëmijë që humbën prindërit e tyre nga tërmetet.
“Nuk ka fjalë për të shprehur dhimbjen nëpër të cilën ata po kalojnë”, shkroi ai në Twitter.
Damasku tha se ka miratuar dërgimin e ndihmës humanitare në zonat e prekura nga tërmetet që janë jashtë kontrollit të tij, përkatësisht në provincën Idlib. Konvojet me ndihma pritej që të arrinin të dielën, por më vonë autoritetet, pa dhënë shpjegim, ndërprenë këtë operacion.
Ministria e Transportit tha se 57 avionë me ndihmë kanë ateruar në Siri gjatë kësaj jave.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të autorizojë hapjen e një pikëkalimi të ri kufitar midis Turqisë dhe Sirisë, në mënyrë që të mund të dërgohen ndihma. Këshilli i Sigurimit do të takohet javën e ardhshme për të diskutuar për situatën në Siri.
Turqia tha se po punon që të hapë dy rrugë të reja që do të çonin në zonat në Siri, që janë nën kontrollin e rebelëve.
Policia turke të shtunën raportohet se ka arrestuar 12 persona, përfshirë edhe kontraktorë, lidhur me shembjen e ndërtesave në provincat jugore të Gaziantepit dhe Sunliurfës.
Ndërkaq, më 12 shkurt u bë e ditur se autoritetet kanë lëshuar 113 urdhër-arreste që lidhen me ndërtesat e shembura gjatë tërmeteve të fuqishme.
Zyrtarët dhe ekipet shëndetësore thanë se 29.605 persona kanë vdekur në Turqi dhe 3.574 në Siri. Deri më tani, numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 33.179./rel

Back to top button