Mehaj: Barbarinë e Reçakut as se falim, as se harrojmë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka përkujtuar viktimat e masakrës së kryer nga forcat serbe 23 vjet më parë në Reçak.
Mehaj ka thënë se krimi i Serbisë duhet të ndëshkohet.
”Këtu u masakruan 45 shqiptarë, mes tyre edhe një grua. Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimit dhe si i tillë u dëshmua nga shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Wiliam Walker, dëshmi kjo që më pas solli ndërhyrjen e NATO-së, ndaj caqeve serbe. Barbarinë e tmerrshme në Reçak, as nuk e falim, as nuk e harrojmë”, ka shkruar Mehaj.
Kujtojmë që, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq./21Media
 

Back to top button