Abdixhiku: Masakra në Reçak ishte moment kthese për botën demokratike

Në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka përkujtuar0 burrat e gratë, fëmijët e pleqtë që përjetuan krimin më mizor në janarin e vitit 1999, në Reçak.
Sipas Abdixhikut vrasja dhe masakrimi i 45 civilëve të Reçakut ishte moment kthese dhe tronditje për botën demokratike, ngase po bëhej krim kundër njerëzimit mu në mes të Evropës, për çka edhe dy muaj më pas filloj intervenimin ushtarak.
”Akti barbar e çnjerëzor i shtetit serb mbi njerëz të pafajshëm alarmoj opinionin ndërkombëtar, madje ish-Ambasadori i OSBE-së, William Walker i tronditur e pa me sytë e tij këtë ngjarje të tmerrshme. Ai mbajti gjallë sensibilizimin ndërkombëtar për këtë krim monstruoz të kryer nga Serbia. Në këtë përvjetor dhe jo vetëm, ne përkulemi dhe kujtojmë me nder e krenari secilin martir të rënë për lirinë e Kosovës në Reçakun e vitit 1999, e gjithandej Kosovës. Lavdi e përjetshme për të rënët në masakrën e Reçakut!” Sot, anëtarë të Kryesisë, Dega e LDK-së në Shtime e familjarë bënë homazhe para Kompleksit Memorial në Reçak”, është shprehur ai.
Kujtojmë që, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq./21Media

Back to top button