Mehaj pas blerjes së dronëve: Kosova duhet të jetë vendi i 33 që anëtarësohet në NATO

Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia. Këtë për herë të parë e bëri publike kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të diel përmes një postimi në “Facebook”. Megjithatë, nuk bëri të ditur numrin e dronëve të blerë.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj po ashtu përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se dronët Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit. Ai theksoi se këto nuk janë pajisjet e vetme që Kosova ka në posedim.

“Që nga dita kur kam marrë mandatin si ministër në Qeverinë Kurti -II-, prioriteti im kryesor ka qenë blerja e armatimit dhe pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjjsë së fundit, të cilat gjithnjë janë sipas standardeve të NATO-së. Dronat Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit të cilat i kemi blerë, posedimit i të cilave kam vlerësuar së është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit tonë. Ky proces nuk ka qenë i lehtë, por me mbështetjen e pakursyer të Kryeministrit Kurti, të Qeverisë dhe gjithashtu mbështetje të fuqishme ndërkombëtare me të cilë do të vazhdojmë të rrugëtojmë krahë për krahë gjithmonë, kemi arritur të përmbyllim me sukses edhe këtë projekt madhështor. Megjithatë, këto nuk janë pajisjet e vetme që kemi në posedim, në jemi furnizuar e vazhdojmë të furnizohemi çdo ditë për të ngritur kapacitetet tona, projektet në vazhdim do të jenë hapa të mëdhenjë drejt zhvillimit të forcës tone”, ka shkruar Mehaj.

Ministri tutje tha se Republika e Kosovës duhet të jetë vendi i 33 që anëtarësohet në NATO.

“FSK-ja me shpirtin luftarak të trashëguar nga UÇK-ja dhe me pajisjet moderne që po i sigurojmë çdo ditë, bëhet ushtri e pathyeshme dhe garantuese e paqes. Republika e Kosovës duhet të jetë vendi i 33 që anëtarësohet në NATO, detyrat tona në këtë rrugë do t’i kryejmë me përkushtim dhe së bashku do ta realizojmë edhe këtë aspiratë. Ju faleminderit të gjithëve për mbështetje”, ka shkruar ai.

Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri. Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button