MEPTINIS reagon rreth shkarkimit të kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”

Sipas ministrisë, shkarkimi i kryeshefit të Trepçës, vendim i pavarur i bordit

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike sot bëri të ditur se dorëheqja e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça” ka qenë kërkesë e këshillit grevist të minatorëve, të cilët kanë mbajtur grevë për shkak të vonesës së pagave. Sipas ministrisë, deklaratat e ish kryeshefit, Basri Ibrahimit, se shkarkimin e tij e ka porositur ministria, janë të pavërteta.

Në reagimin e ministrisë theksohet se ndërmarrjen “Trepça” e kanë trajtuar me përparësi për shkak të ndjeshmërisë ndaj minatorëve.

“Para se të jepen subvencionet, ndërmarrja duhet t’i paraqesë Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pranë Ministrisë, të dhënat për projektet dhe operacionet, që do të mbështeten me subvencione. Z. Ibrahimi i ka dorëzuar të dhënat me vonesë. Përkundër kësaj vonese, Njësia për NP ka finalizuar brenda ditës dr aftin e marrëveshjes për Trepçën. Ministrja Rozeta Hajdari e ka nënshkruar atë menjëherë dhe ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë të bartin mjetet në llogari të ndërmarrjes. Mirëpo zyrtarët financiarë kanë hasur në pengesa shkaku i mangësive në dokumentacion”, bëhet e ditur në reagim.

Tutje, theksohet se menaxhmenti i ndërmarrjes nuk ka raportuar siç kërkohet për subvencionet e mëparshme për të siguruar se mjetet janë ndarë sipas marrëveshjes dhe pa diskriminim për minatorët në Leposaviq, Stantërg dhe Artanë.

“Rikujtojmë se ndërmarrja ka keqmenaxhuar subvencionet më parë, ku me paratë e dhëna për rrymë, në dhjetor të vitit 2019, janë shlyer borxhe të tjera. Në mars të 2020-tës, ndërmarrjes i janë dhënë subvencione shtesë për rrogat e minatorëve, ndërsa menaxhmenti ka shënuar gabimisht numrin e xhirollogarisë së ndërmarrjes, duke shkaktuar vonesë në bartjen e mjeteve. Në paraqitjen e kërkesës për subvencione, menaxhmenti ka ngatërruar operatorët e energjisë KEK dhe KEDS, duke krijuar përshtypje të gabuar për detyrimet ndaj këtyre operatorëve”, bëhet e ditur në komunikatën e MEPTINIS.

Ministria ka deklaruar se vendimi i bordit të përkohshëm mbikëqyrës për shkarkimin e Ibrahimit është i pavarur për të cilin ministria është njoftuar pas marrjes së tij.

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” dje ka shkarkuar kryeshefin e ndërmarrjes, Basri Ibrahimin.

Back to top button