Mësimdhënësi shqetëson “QIKA-n”, reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se ka pranuar një informatë nga koleget e QIKAs për shqetësim të vazhdueshëm që i është bërë atyre nga një mësimdhënës, në lidhje me një lajm që është publikuar në nëntor të vitit të kaluar.
“Në emailin dërguar AGK-së, QIKA ka njoftuar se bëhet fjalë për një rast të pretenduar të ngacmimit seksual në shkollën “Nazmi Zhegrova”, të fshatit Stanoc i Ulët në Komunën e Vushtrrisë, të raportuar fillimisht nga koha.net, i cili është ripublikuar duke e cituar mediumin, dhe pa ia përmendur emrin mësmidhënësit”, shkruan AGK në “Facebook”.
Tutje, AGK ka publikuar edhe njoftimin e plotë i cili i është drejtuar atyre, ku thuhet se ai ka shkruar edhe në rrjetin social “Instagram”.
“Me datë 26 shkurt 2024, në rrjetet sociale të QIKA ka shkruar mesazhe mësimdhënësi, i cili ishte i akuzuar nga një nxënëse për ngacmim seksual. Ai ka kërkuar nga QIKA që të largoj lajmin për këtë rast, sepse sipas tij kjo ka qenë një shpifje. I njëjti vazhdimisht ka telefonuar dhe ka shkruar mesazhe në rrjetet tona sociale, si dhe në email. Me datë 4 mars 2024, ai ka ardhur tek zyret tona duke shqetësuar stafin e QIKA me kërkesën e tij për të larguar lajmin, duke u thirrur në një vendim të Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, i cili sipas tij e shfajëson atë. Mbrëmë me datë 12 mars 2024, ai ka shkruar prapë mesazh në rrjetin social Instagram duke thënë se ‘mos um shtyni me ardh edhe niher te ju a me kuptuat.’”, thuhet në njoftimin drejtuar AGK-së.
Gjithashtu, AGK ka shtuar se kontaktimi i vazhdueshëm i stafit të QIKAs, vizita në zyrat e redaksisë, përbën presion direkt mbi punën e gazetarëve dhe e konsideron si formë të frikësimit ndaj tyre.
“AGK-ja, i bën thirrje publike mësimdhënësit në fjalë që të ndalojë se shqetësuari stafin e QIKAs, dhe nëse e konsideron të nevojshme, të bëjë ankesë në organet vetërregulluese të medieve online. AGK-ja, i bën thirrje Policisë së Kosovës ta trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që gazetaret ta kryejnë punën e tyre pa u penguar dhe frikësuar ”, thuhet tuje në postim./21Media