Mësimi alternativ në Kamenicë, Kastrati: Nuk tërhiqem nga reforma

 

Vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për të organizuar mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e fshatrave të Kamenicës, kryetari i kësaj komune Qëndron Kastrati, po e quan “sjellje të papërgjegjshme dhe tendencioze” që të pengojë reformën e nisur në arsim.

Komuna e Kamenicës ndërmori një sërë veprimesh ku u bë mbyllja dhe fuzionomi i disa shkollave në disa fshatra të Kamenicës për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga nxënës, prindër e mësimdhënës të cilët patën organizuar edhe protesta e greva.

Duke iu rikthyer vendimit të ministres Nagavci, Kastrati shprehet i bindur se i njëjti ka prapavijë politike, por që thotë se do të organizojnë një mësimin alternativ për nxënësit që nuk e kanë vijuar mësimin.

I pari i Kamenicës thotë se do të organizojnë një mësim të tillë për shkak se këta nxënës pothuajse e kanë humbur vitin.

Kastrati, që kur mori mandatin e të parit të Kamenicës ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se është i bindur se një vendim i tillë nga ministrja Nagavci është për qëllime politike, e krejt kjo thotë se po bëhet për ta dëmtuar atë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Ndonëse nuk tregon nëse do t’i hyjë garës edhe për një mandat në krye të Kamenicës, Kastrati thotë se nuk do të zmbrapset nga reforma e nisur në komunën që tash e katër vite e drejton.

Ai thotë se një riorganizim i tillë i shkollave është i domosdoshëm nëse synojnë të përmirësojnë cilësinë në arsim.

Kundërshtimi i reformës nga disa prindër të kësaj komune, Kastrati thotë se është bërë edhe për shkak se të njëjtit janë përballur me kërcënime dhe linçime për ta kundërshtuar reformën në arsim.

Në bazë të vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nga data 5 maj do të fillojë mësimi alternativ i përshpejtuar për 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës.

Mësimi alternativ i përshpejtuar do të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina” në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.

Back to top button