Mësuesja që humbi të 32 nxënësit e saj

Mendimet e një mësueseje marokene u kthyen menjëherë te nxënësit e saj kur ndjeu tërmetin 6.8 ballë që goditi një javë më parë.

Nesreen Abu ElFadel ishte në Marrakesh – por Adaseel, fshati malor që ishte shtëpia e shkollës dhe nxënësve të saj, ishte më afër epiqendrës.

Mësuesja e gjuhës arabe dhe frënge u kthye në Adaseel ku shkoi të kërkonte fëmijët.

Ajo zbuloi se të 32-të – nga 6 deri në 12 vjeç – kishin vdekur.

“Shkova në fshat dhe fillova të pyesja për fëmijët e mi: “Ku është Somaya? Ku është Youssef? Ku është kjo vajzë? Ku është ai djalë?” Përgjigja erdhi disa orë më vonë: ‘Ata kanë vdekur të gjithë’.

“Imagjinova të mbaja fletën e frekuentimit të klasës sime dhe të vendosja një rresht midis emrit të një studenti pas tjetrit, derisa të kisha gërvishtur 32 emra; ata tani kanë vdekur të gjithë”, tha ajo për BBC.

Ata ishin në mesin e pothuajse 3,000 njerëzve të vrarë nga tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Marok, i cili goditi mbrëmjen e 8 shtatorit.

Zonat më të goditura ishin ato në jug të Marrakeshit, ku shumë fshatra malorë u shkatërruan plotësisht. Adaseel ishte një nga ato vende.

Gjithsej 530 institucione arsimore janë dëmtuar në shkallë të ndryshme, duke përfshirë disa prej të cilave janë shembur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore, sipas deklaratave zyrtare.

Qeveria marokene ka ndërprerë përkohësisht mësimet në zonat më të goditura./21Media

Back to top button