Ministri i Shëndetësisë në Kroaci: Në mesin e të lënduarve edhe fëmijë

 
Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh ka treguar për gjendjen e të lënduarve në aksidentin që ndodhi mëngjesin e së dielës ku u vetaksidentua një autobus me bashkatdhetarë nga Kosova.
Berosh ka tregua se në mesin e të lënduarve ka edhe të mitur e që një nga vajzat raportohet të jetë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Në aksidentin e tragjik humbën jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
“Sipas të dhënave te momentit të cilat edhe mund të ndryshojnë, janë aksidentuar 69 persona, 67 pasagjerë dhe dy shoferë, nga ta fatkeqësisht kanë vdekur 10 persona,42 të lënduar janë dërguar në spital në Slavonsko Brod kurse dy janë hospitalizuar në Nova Gradisht. Në Nova Gradisht është një i lënduar i cili ka lëndime të kurrizit, për çka e kemi aranzhuar dërgimin në klinikën e traumatologjisë në Zagreb. Kemi edhe të lënduar rëndë, që janë 15, tre janë në operacion, kurse të tjerët janë duke u diagnostikuar, është e mundur qe edhe ndonjë që është duke u trajtuar të marr diagnozën e të lënduarit rëndë, kështu qe gjithçka është e mundur. Ajo që po e theksoj që në fatkeqësi kanë marrë pjesë edhe 15 të mitur, nga të cilët një vajzë ka lëndime të rënda, kurse të tjerët janë pranuar këtu”, tregoi ai.
Ministri kroat u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe u ka uruar shërim të lënduarve duke thënë se Qeveritë e të dyja vendeve, ajo e Kroacisë dhe Kosovës do të jenë pranë familjarëve.
Për në Kroaci tashmë ka marrë rrugë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e qeverisë.
Ndërsa dyshimet e para janë se për një moment shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi.

Back to top button