Ministri Peci rikonfirmon mbështetjen e Gjermanisë për sektorin e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci po qëndron në Mal të Zi në kuadër të Takimit të 16-të Ministrave të Bujqësisë së Evropës Juglindore në bashkëpunim me Grupin e Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (RRD SWG). Ministri Peci iu përgjigj ftesës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural institucion ky i cili i mikpriti homologët e vendeve të rajonit dhe me ç’rast edhe mori udhëheqjen zyrtare të këtij grupi.
Gjatë ditës së sotme, Ministri Peci realizoi një takim me homologun e tij gjerman, Ministrin e Ministrisë Federale për Bujqësi dhe Ushqim, Cem Özdemir, ku edhe njëherë u konfirmua gatishmëria e shtetit gjerman në mbështetje të sektorit të bujqësisë në Kosovë, në shumë projekte dhe ide që me këtë rast ia prezentoi Ministi Peci.
“Biseduam për përkrahjen direkte të qeverisë gjermane karshi avancimit të sektorit të bujqësisë në Kosovë, me ç’rast edhe e falenderova z. Özdemir për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE e më specifikisht në përafrimin e politikave të përbashkëta bujqësore, projekte konkrete me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm rural, agroturizmin, sektorin e pylltarisë dhe politikat që fokusojnë zinxhirin e vlerës në zonat rurale”, u shpreh pas këtij takimi Ministri Faton Peci.
Tutje, Ministri Peci e pranoi ftesën nga Ministri Özdemir për pjesëmarrjen në Forumin Global për Ushqimin dhe Bujqësinë, i cili do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, me ç’rast Ministri Peci do të ketë mundësinë për ta adresuar progresin, politikat dhe hapat e ndërmarrë për t’u ballafaquar me sfidat me të cilat përballet sektori i bujqësisë në Kosovë./21Media

Back to top button