Ministria e Ekonomisë: Kostot e vjedhjes së energjisë elektrike na kushtojnë miliona euro në vit

Ministria e Ekonomisë thotë se përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit, ose thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.
Ndërsa për vitin 2022, Ministria e Ekonomisë thotë se vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.
Në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, Ministria e Ekonomisë theksoi se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.
“Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato. Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet në njoftim.
Ministria theksoi tutje se ditëve në vijim institucionet do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po ashtu po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri.
“Ndaj qytetarë të nderuar, Ju inkurajojmë që përveç kursimit të energjisë elektrike të raportojmë secili rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vini re apo keni dijeni për to. Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë./21Media

Back to top button