Ministria e Infrastrukturës për RTV21: Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme

Autoudhët, rrugët nacionale dhe ato regjionale, të gjitha janë të qarkullueshme pa pasur ndonjë pengesë, shkaku i reshjeve të borës.
Këtë e kanë bërë të ditur sot për rtv21.tv nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Kjo gjendje është si rrjedhojë e një aktiviteti të pandërprerë gjatë tërë natës së mbrëmshme, por edhe në vazhdim nga ana e kompanive mirëmbajtëse të cilat janë të kontraktuara nga MMPHI”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Tutje, MMPHI-ja ka bërë thirrje te të gjithë ngasësit e makinave që të kenë kujdes të shtuar në përshtatje të kushteve të motit në rrugë, por edhe për bartjen e pajisjeve dimërore.
Mosrespektimi i kësaj thirrjeje, sipas tyre, nënkupton krijimin e pengesave ne rrugë, sidomos në formimin e kolonave nga automjetet, si pasojë e të cilave vjen deri të pamundësia e futjes së makinerisë borëpastruese e që në ato raste lehtësisht vjen deri të krijimi i shtresave të akullit dhe rrjedhimisht edhe deri të pengesat serioze në qarkullimin rrugor.
Policia e Kosovës po ashtu, ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë më vigjilentë dhe vozitjen ta përshtatin me rrethanat e krijuara nëpër rrugë në mënyrë që pjesëmarrja në trafik të jetë e sigurt për të gjithë dhe të shmangen aksidentet rrugore.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se edhe sot parashihet të ketë reshje bore në vendin tonë. Temperaturat minimale parashihen të ulen deri -3 gradë Celsius, kurse maksimalet parashihen të arrijnë deri në 11 gradë Celsius./21Media

Back to top button