Miratimi i Rezolutës së ShBA-së dhe Shqipërisë, Biden: Bota i tregoi Rusisë se nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden foli pas miratimit të Rezolutës së ShBA-së dhe Shqipërisë për referendumet e Rusisë në Ukrainë.
Presidenti amerikan tha se kjo rezolutë ishte një mesazh për Moskën se ajo nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta, raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Sot, shumica dërrmuese e botës – kombe nga çdo rajon, i madh dhe i vogël, që përfaqësojnë një gamë të gjerë ideologjish dhe qeverish – votuan për të mbrojtur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe për të dënuar përpjekjen e paligjshme të Rusisë për të aneksuar territorin ukrainas me forcë”, tha Biden.
Sipas tij, aksionet e këtij konflikti janë të qarta për të gjithë – dhe bota ka dërguar një mesazh të qartë si përgjigje.
“Rusia nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund të ndryshojë kufijtë me forcë. Rusia nuk mund të kapë territorin e një vendi tjetër si të vetin… Pothuajse tetë muaj pas kësaj lufte, bota sapo ka treguar se është më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për ta kërkuar Rusinë përgjegjëse për shkeljet e saj”, shtoi lideri amerikan.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi dje masën e fundit të Rusisë për të aneksuar rajonet lindore të Ukrainës Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhya.
Rezoluta e propozuar nga Shqipëria dhe ShBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për referendumet e Rusisë në Ukrainë është miratuar me 143 vota.

Back to top button