Miratohet projektligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike

4 min read

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për, sot ka miratuar në parim Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Mbështetje këtij projektligji nga opozita i ka dhënë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa është kritikuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa tha se përmes tij synohet që të ndërtohet besimi i publikut në sigurinë e transaksioneve digjitale dhe që sa më shumë nga bizneset të përdoret nënshkrim elektronik.

“Ka për qëllim rregullimin e disa fushave, mënyrës së identifikimit dhe skemave të identifikimit elektronik të personave juridik dhe personave fizik, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, të vulës elektronike, të vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre. Si dhe të kushteve për lëshimin dhe përdorimin e certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqeve të internetit, shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike. Ky ligj zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike, mirëpo dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për shërbimet e besuara që ofrohen brenda një sistemi të mbyllur ose një rrethi të kufizuar pjesëmarrësish të cilat mund të përcaktohen me marrëveshje ose rregullore të brendshme dhe nuk ndikojnë në palët e treta jashtë atij sistemi”, ka thënë ministrja.

Ajo ka shtuar se i njëjti projektligj nuk ka kosto shtesë për buxhetin e Kosovës, por që për zbatimin e dispozitave të këtij projektligji qeveria ka arritur të fitojë një grant nga Komisioni Evropian në vlerë prej 4 milionë euro.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka deklaruar se ky projektligj e rregullon nënshkrimin elektronik dhe se është tejet i rëndësishëm në kohën e pandemisë.

“Miratimi i këtij ligji e ndryshon përmbajtësish rregullativën e brendshme mbi transaksionet elektronike sepse e rregullon nënshkrimin elektronik, vulat elektronike dhe është tejet i rëndësishëm sidomos në kohën e pandemisë dhe ekonominë digjitale”, ka shtuar ai.

Kritika për këtë projektligj ka pasur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili ka deklaruar se i njëjti ligj që iu është ofruar sot në Kuvend është kthyer mbrapa së bashku me LVV-së në mandatin e kaluar.

“Ky ligj është kthyer një herë bashkë me grupin Parlamentar të PDK dhe LVV i kemi kthyer ish-qeverisë, i cili ligj sot na vjen 100 përqind me të njëjtat gabime, me të njëjtat veprime, me të njëjtat vërejtje. Edhe për më keq ju them me përgjegjësi të plotë që ky ligj kur ka hy në fuqi në Bashkimin Evropian është miratuar në 2014, 4 vjet BE-së ju është dashur me i dhënë afat ligjit për të hyrë në fuqi dhe ka hyrë në fuqi vetëm në vitin 2018. Pra, kjo direktivë 910 e përkthyer keq tek ne, 4 vjet i është dashur shteteve më të zhvilluara të botës me përgatitë akte nënligjore, me përgatitë tregun e punës, ndërmarrësit që ata me qenë të zbatueshëm dhe të implementueshëm. Në këtë ligj ose draft-ligj që na servohet neve sot qeveria jonë është shumë më e shpejtë se BE-ja dhe afatin për përgatitjen e akteve nënligjore e ka vetëm 6 muaj. Pra, nëse shteteve më të zhvilluara të Evropës ju është dashur 4 vjet përgatitje si ka mundësi, kush mund të ma arsyetoj këtë që Kosova me këtë infrastrukturë ligjore, me këto kapacitete, po kur ia shtojmë kësaj ngathtësinë e kësaj qeverie mundet për 6 muaj me i përgatitë 15 akte nënligjore”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është mirë që i njëjti projektligj të kthehet sërish tek qeveria dhe të përmirësojë të gjitha gabimet, që sipas tij, janë në këtë ligj.

Edhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka deklaruar i njëjti projektligj ishte kundërshtuar në të kaluarën nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi për të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por kemi disa çështje të cilat duhet t’i shqyrtojmë dhe të japim kontributin tonë në mes të dy leximeve. Janë disa çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen e të dhënave personale që mund të jenë brengosëse. Edhe përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale parashihen me projektligj, por kemi frikë se gjatë zbatimit jo çdo gjë do të mund të shkojë pa sfida të mëdha”, ka thënë ajo.

Mbështetje këtij projektligji i ka dhënë shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se është tejet i rëndësishëm.

“E them me përgjegjësi të plotë se është ndër ligjet më të rëndësishme të cilin në seancën e fundit si zëvendëskryeministër e kam prezantuar këtu edhe e kam elaboruar rëndësinë e këtij ligji dhe rëndësinë e miratimit të këtij ligji. Andaj nuk kam qysh mos ta mbështes edhe si shef i Grupit Parlamentar po edhe si deputet këtë ligj me rëndësi të veçantë”, ka thënë ai.