Mogherini: Palët u pajtuan për ulje të tensioneve

“Avancimi në Dialogun është i rëndësishëm për të dyja palët për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, është shprehur Mogherini

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mes Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar se takimi i mbrëmshëm në Bruksel ishte konstruktiv dhe sipas saj palët kanë rënë dakord për ulje të tensioneve.

“Do të doja t’i falënderoj ata për takimin e hapur dhe shumë konstruktiv që kishim. Ata diskutuan për zhvillimet gjatë ditëve që pasuan, ranë dakord për të lënë tensionet pas dhe të përqendrohen në ecjen përpara”, ka deklaruar Mogherini sipas webfaqes zyrtare të BE-së.

Ajo ka theksuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është esencial për të dyja vendet, për vetë Bashkimin Evropian, rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Avancimi në Dialogun është i rëndësishëm për të dyja palët për të ecur përpara në rrugët e tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Mogherini.

Sipas përfaqësueses së lartë të BE-së, të dyja palët ranë dakord që dialogu të zhvillohet me frymën e respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

Ajo beson se diskutimet ndërmjet palëve do të intensifikohet gjatë ditëve të ardhshme. “Unë si lehtësuese e dialogut do të vazhdojë të jem vazhdimisht e përfshirë personalisht në mbështetjen e zbatimit të plotë të rezultatit të sotëm, të marrëveshjeve të arritura tashmë dhe e progresit të mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”, ka theksuar më tutje Mogherini.

Back to top button