Mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve grevistë, Avokati i Popullit i bën thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje

Avokati i Popullit sot ka deklaruar se mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre.
Avokati i Popullit i bëri thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
“Gjithashtu Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Sipas Avokatit të Popullit, është e rëndësishme që qeveria, me secilin veprim dhe masë që merr, të kontribuojë në zbutjen e krizës së rëndë të krijuar si rezultat i kësaj gjendjeje.
Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot ka deklaruar se kompensim do të ketë, por për punën e bërë.
Për muajin shtator, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka ekzekutuar pagat vetëm për zyrtarët, të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat e përgjegjësitë e tyre./21Media

Back to top button