MPB s’ka datë për fushatën tjetër për legalizimin dhe dorëzimin e armëve

Janë bërë 9 muaj që kur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pati premtuar për një fushatë tjetër të legalizimit dhe dorëzimit të armëve. Të njëjtin premtim po e bën prapë, duke mos dhënë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.
MPB për rtv21.tv në janar të këtij viti pati deklaruar se po planifikon që sa më shpejt që është e mundur të shpallen fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve. Lidhur me këtë, portali rtv21.tv ka kontaktuar prapë me Ministrinë për të kuptuar se kur do të jetë kjo periudhë, mirëpo, MPB ka dhënë përgjigje të njëjtë.
“MPB ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpallë fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve varësisht sipas ecurisë të hartimit të politikave (Ligjit për Armë dhe ligjit për legalizimin dhe dorëzimin e armëve)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për portalin rtv21.tv.
Në periudhën e legalizimit nga 17 dhjetori 2018 deri 17 shtator 2019 ishin paraqitur afro 2000 kërkesa për legalizim të armëve.
Në bazë të statistikave në Kosovë janë rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve.
Policia e Kosovës ka thënë se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, janë konfiskuar rreth 700 armë ilegale.
“Nga data 01.01.2022 deri me datë 30.06.2022 janë konfiskuar 699 armë llojesh të ndryshme”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje për portalin rtv21.tv.
Të gjitha armët që konfiskohen, dërgohen për shkatërrim./21Media

Back to top button