Mungesë e dozave, ndërpritet për dy orë vaksinimi në Tiranë
Mungesa e furnizimit me dozat e nevojshme u bë shkak për ndërprerjen e vaksinimit të të moshuarve në sheshin Skëndërbej në tiranë. Shumë prej tyre pasi pritën për disa orë mëngjesin e të dielës, kur kishin edhe afatin për të marrë dozën e dytë të Coronavax, u larguan pasi personeli mjekësor u tha se vaksina kineze kishte mbaruar.
Por anomalia u zgjidh dy orë më vonë duke rinisur procesin pas furnizimit me vaksina për personat që ishin ende në pritje.
“Ikni në Ministri tani, pse s’ka doza. Ai tjetri ka ardhur nga ana e anës për të bërë vaksinën të dali një i Ministrisë dhe të thotë të saktësojë punën. Ça është ky muhabet, një njoftim i thjesht nga Ministria apo nga kushdo tjetër që nuk bëhet vaksina e dytë dhe nuk vijnë njerëzit. Me shëndetin e popullit këta nuk mund të luajnë.”
Ky është i gjithë irritimi dhe revolta e të moshuarve që nuk arritën të merrnin dozën e dytë të vaksinës kineze paraditen e të dielës.
Në tendat e ngritura në sheshin Skëndërbej proçesi u ndërpre nga ora 10 e mëngjesit –në orën 12.00, pasi qendra nuk kishte më gjendje të vaksinave kineze Coronavac. Qytetarët ishin të paqartë e të painformuar, madje disa prej tyre kishin shkuar edhe tek qendra e vaksinimit tek stadium kombëtar.
‘Askush nuk na informon,kur do vijnë dozat tjera, kërkojmë sqarim”
Të lidhur nga pritja por edhe për shkak të mungesës së informacionit, shumë të moshuar u larguan pa marrë dozën e dytë edhe pse të dielën ishte afati. Ndërkohë pas 2 orë ndërprerjeje dozat e vaksinës kineze erdhën e procesi vijoi normalisht.
Kordinatorja Ariela Malaj shpjegoi arsyet e pezullimit të procesit.
“Në fakt ishte një ndërprerje proceduriale, patëm një furnizim që na mbaroi, bëmë kërkesën në drejtori se normalisht kemi procedurat tona. Sollëm vaksinat dhe filluam vaksinimin.”
Sipas ministrisë së shëndetësisë deri tani më shumë se 200 mijë qytetarë janë kompletuar me të dyja dozat e vaksinës kundër Covid 19./oranews