Murati bën thirrje për deklarim të të ardhurave personale

Ministri i Punës, Financave dhe Tranfereve në Kosovë, Hekuran Murati, sot u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të deklarojnë të ardhurat personale, të cilat nuk tatohen në burim, siç ndodh me pagë.
Afati për deklarim të të ardhurave të vitit 2021 është deri më 31 maj.
Murati ka përmendur shembullin e lëshimit të shtëpisë apo banesës me qira ndaj një entiteti që nuk deklaron tatim dhe nuk e ka pasur në burim tatimin.
Përveç qirasë, të hyra pa tatim në burim janë edhe:
Fitimet kapitale – shitblerja e paluajtshmërisë, letrave me vlerë, kriptovalutave, apo shitja e aksioneve.
Burimet nga jashtë – ku përfshihen punonjësit brenda dhe jashtë shtetit ndaj të cilëve punëdhënësi nuk ka shumë detyrime (freelancers) apo edhe të ardhurat nga rrjetet sociale, përfshirë YouTube, Google.
Murati ka thënë se llogaritet që rreth 10 për qind duhet të jetë vlera tatimore që secili qytetar obligohet ndaj shtetit.
Ai ka theksuar se obligimi tatimor ka ekzistuar edhe më herët, mirëpo tani vetëm po kërkohet që të zbatohet ligji.
Sipas tij ata që nuk e paguajnë tatimin mund të trajtohen si raste të evazionit fiskal.
Ministri Murati ka thënë se të gjithë qytetarët mund të gjejnë formularin online në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)./21Media

Back to top button