Muriqi: Arma jonë kryesore është shpirti luftarak

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të sezonit aktual të Ligës së Kombeve kundër Irlandës së Veriut dhe Qipros.
Më 24 shtator, Kosova zhvillon ndeshje si mysafire kundër Irlandës së Veriut, kurse tre ditë më vonë pret në shtëpi Kombëtaren e Qipros.
Trajneri, Alain Giresse ka vendosur që gjatë ditës së mërkurë të punojë me futbollistët në dy seanca, ku paradite është punuar në Kampin Nacional në Hajvali, derisa pasdite, në orën 16:30, do të mbahet stërvitja në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas stërvitjes, Muriqi tha se beson që Kosova pavarësisht mungesave që ka për këto dy ndeshje, do të korrë rezultate pozitive.
“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Sigurisht se do të udhëtojmë për fitore. Në Prishtinë kemi fituar dhe e dimë se çfarë na pret atje. Atje presim të ketë shumë shikues, ku të bashkuar do të na sulmojnë të gjithë, por edhe ne kemi kualitetet tona dhe ashtu siç e kemi fituar ndeshjen e parë, besoj se do ta fitojmë edhe të dytën”, tha Muriqi.
Po ashtu, Muriqi tha se arma më e fortë e Kosovës është shpirti luftarak që ka, dhe jo rezultati bindës ose posedimi i topit.
“Ne, në asnjë lojë nuk e kemi fituar me rezultat bindës apo me posedim të topit dhe gjuajte, por kemi luftuar dhe kemi fituar me shpirt luftarak. Edhe irlandezo-veriorët janë me mentalitet si ne të Kosovës dhe besoj se do të bëhet një lojë e fortë, por ne me armën tonë kryesore që e kemi shpirtin luftarak do të shkojmë atje dhe ta japim maksimumin”, tha Muriqi.
Kapiteni Amir Rrahmani, ka stërvitur sot i diferencuar në shoqëri të trajneri të fitnesit, pasi ka arritur më vonë në grumbullim. Për të njëjtën arsye, me intensitet më të ulët ka stërvitur edhe portieri Arijanet Muric.

Back to top button