Mustafa: Në rezultatin e LDK-së nuk ndikoi shkuarja e Osmanit, vota jonë shkoi në LVV

 

Isa Mustafa nga LDK fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit e ka quajtur rezultat populist. Dhe ka thënë se nuk është i dobishëm për asnjë vend.

Gjithsesi edhe për këtë rezultat, mendoj që asnjë herë politikat populliste të asnjë vendi demokratik nuk i kanë shërbyer. Kanë vendosur qytetarët, nuk e vë në pikëpyetje vendimin e tyre, por që nuk besoj se i kemi bërë mirë Kosovës me këtë rezultat dhe nuk besoj që kemi bërë gabim si LDK që kemi prish koalicionin me VV-në, sepse kemi bërë shumë mirë dhe e kemi bërë për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta ruajtur dinjitetin e partisë tonë. Që s’e kemi paguar çmimin, ne paguajmë çmimin, por për mua shumë më i lehtë të paguajmë një çmim me një votë, edhe disa vota se sa të paguajmë çmime me partnerët tanë strategjikë dhe me ardhmërinë tonë.”., ka thënë ai.

Kurse sa i përket rezultatit të LDK-së në këto zgjedhje, Mustafa është shprehur se nuk ka ndikuar shkuarja e Vjosa Osmanit, por që vota e tyre ka shkuar në VV.

“Derisa kemi zhvilluar fushatë në terren nuk ka pasur asnjë sinjal që ka ndikuar (shkuarja e Vjosa Osmanit). Vota jonë ka shkuar në VV, njerëzit që para një viti kanë votuar LDK-në, tani e kanë votuar Vetëvendosjen dhe ndryshimin që ata e kanë promovuar. A e kanë qëlluar apo jo, do ta shohim së shpejti”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar nuk e kanë pritur këtë rezultat, pasi që sipas tij nuk kanë pasur asnjë vlerësim të tillë edhe nga fushata që kandidati për kryeministër Avdullah Hoti e ka bërë në gjithë Kosovën.

Kujtojmë se pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit nga të cilat ka dalë si partia e tretë, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të kësaj partie. Ndërsa sot ka bërë të ditur se kryetari i ri do të zgjedhet deri në mesin e muajit mars./21Media

Back to top button