National Board of Review vlerëson “Top Gun: Maverick” si filmin e vitit 2022

Filmi “Top Gun: Maverick”, filmi më i mirë i vitit. Këtë vlerësim e bëri “The National Board of Review” apo Bordi Nacional i Recensionistëve për vitin që po lëmë pas.
Kjo organizatë, filmin “Top Gun: Maverick” nuk e vlerësoi vetëm si hit në box office, si film që ka fituar 1.5 miliard dollarë në mbarë botën, por edhe si konkurrent legjitim i Academy Awards.
“The National Board of Review” ndau çmime edhe në kategori të tjera. Çmimi për kinematografi shkoi për Claudio Miranda, për filmin “Top Gun: Maverick”.
Regjisori Steven Spielberg u shpërblye si regjisori më i mirë për filmin biografik “The Fabelmans”. Gabriel LaBelle i cili paraqitet me rolin e Spielberg në këtë film si i ri, u nderua me çmimin “performanca më e mirë”.
Filmi “The Banshees of Inisherin” fitoi më së shumti çmime nga Bordi i Recensionistëve. Dy yjet e tij: Colin Farrell  e Brendan Gleeson u shpërblyen për performancat e tyre. Skenaristi, njëherësh regjisori Martin McDonagh fitoi çmimin për skenarin më të mirë.
Me çmimin për debutimin më të mirë si regjisor-e u nderua prodhuesja skoceze e filmave Charlotte Wells, filmi i së cilës “Aftersun” ishte njëri prej më të vlerësuarve.
Filmi i Sarah Polley “Women Talking” u shpërblye me çmimin “Ensemble Award”.
Në kategorinë e filmit më të mirë të animuar u nderua “Marcel the Shell With Shoes On”, e në kategorinë si filmi më i mirë ndërkombëtar u shpërblye filmi “Close”.
The National Board of Review apo Bordi Nacional i Recensionistëve u themelua në vitin 1909, dhe prej atëherë përkrah filmat. Çdo vit, një grup i përbërë nga dashamirë filmash, prodhues të tyre, peofesionistë e akademikë, rishikojnë deri në 250 filma dhe në fund bëjnë përzgjedhjen e tyre.
Çmimet e sivjetme të këtij bordi do të dorëzohen në një ceremoni që nuk do të transmetohet në TV me 8 janar 2023./21Media

Back to top button