Në shënimin e Epopesë bëhet thirrje për bashkim të spektrit politik në çështjet me rëndësi për Kosovën

Në nderim të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është mbajtur akademi përkujtimore në të cilën u kujtua sakrifica e familjes Jashari në betejën e 5,6 dhe 7 Marsit në Prekaz. Aty, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se duhet bërë të gjithë bashkë për të vulosur Pavarësinë e Kosovën në kufijtë e 17 Shkurtit.

Duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Osmani tha se duhet vazhduar rrugën e nisur nga ta për një shtet të fortë.

Osmani bëri thirrje për unitet për, siç tha ajo, çështjet me rëndësi kombëtare.

“Përpjekja për atdheun tonë nuk është përmbyllur as më shpalljen e Pavarësisë, sepse Kosova ende nuk e ka përmbyllur ecejakun e vet historike për shkak të sfidave të shumta, por për ta vulosur Pavarësinë e shtetit tonë në kufijtë e 17 Shkurtit, ne duhet që të gjithë të bëhemi bashkë, ndaj më shumë se kurrë na duhet vullnet e atdhedashuri për t’i dale zot Republikës sonë, por edhe unitet për çështjet me rëndësi kombëtare sepse kjo është mënyra e vetme që ta ruajmë shtetin tonë, integritetin e tij territorial dhe të përmbushim amanetin e të gjithë atyre që ranë për Republikën”, tha Osmani.

Osmani tha se komandanti legjendar ishte i bindur se pa një rezistencë të armatosur, liria ishte e paarritshme.

Siç tha ajo, beteja e marsit në Prekaz nuk ishte fundi i komandantit, por përjetësimi i tij dhe familjes Jashari në themelet e shtetit të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së presidentit tha se familja Jashari ka mbrojtur identitetin dhe nuk pranuan të nënshtrohen.

E kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti tha se duhet shtuar përpjekjet për një të ardhme më të mirë.

“Na mbetet që përvjetorët si ky ne të shtojmë edhe më shumë përpjekjet tona, përgjegjësinë tonë, detyrat që kemi, dhe ato që na presin në të ardhmen në mënyrë që ngjarjet si kjo të shënojnë sukseset tona të reja. Ky do të jetë vlerësimi, respekti dhe nderimi më i lartë që u bëjmë atyre që dhanë më të shtrenjtën, që dhanë jetën e tyre për ne dhe të ardhmen tonë. Këtë mund ta realizojmë vetëm të bashkuar në projektet madhore të vendit pa varësisht dallimeve politike, dallimeve të tjera konceptuale që ne mund të kemi”, tha Hoti.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Jashari, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari tha populli ka luftuar të mbrojtje të tokës dardane, dhe tendencat për ta njollosur historinë bëhen me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës.

“Populli ynë autokton bëri luftë të drejtë në mbrojtje të tokës tonë dardane, të gjitha tendencat për ta njollosur luftën dhe historinë tonë të lavdishme nuk janë asgjë më shumë sesa shpifje që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të historisë sonë dhe shtetit tonë demokratik që po e ndërtojmë dhe zhvillojmë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë ndërkombëtar”, tha Jashari.

Në akademinë kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së morën pjesë edhe të rinjtë e familjes Jashari, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe politikanë.

Back to top button