Nëntë muaj nën masa ndëshkuese të BE-së, dëmet mbi 300 milionë euro

Mbi 300 milionë euro konsiderohet të jenë dëmet që i janë shkaktuar Kosovës nga masat ndëshkuese të BE-së që vazhdojnë të jenë në fuqi tash nëntë muaj.

Deputetë të Parlamenti Evropian kërkojnë që ato të hiqen sa më parë. Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, nuk pret që masat ndëshkuese të hiqen derisa krye të politikës së Jashtme të BE-së janë Borrell dhe Lajçak derisa opozita fajëson qeverinë për këto masa.

Oda Ekonomike paralajmëron thellim të pasojave në rast se masat nuk hiqen sa më parë.

Bashkimi Evropian nuk bëri të ditur se kur do të hiqen këto masa. Por deputeti i parlamentit Evropian,  Lukas Mandl, thotë se ato duhet të hiqen sa më parë. I pyetur se nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kusht për heqjen e masave, ai tha se heqja e tyre nuk duhet të ndërlidhet me të.

“Kur së pari kam dëgjuar për idenë e vendosjes se masave ndëshkuese ndaj  Kosovës kam thënë; kjo duhet të jetë shaka e keqe, kjo është diçka absurde. I kemi disa gjëra për të diskutuar, gjëra që janë komplekse dhe jo të thjeshta por masat nuk janë zgjidhja e duhur dhe shpresoj se ato do të hiqen së shpejt. Ky është qëndrimi i  shumicës në parlamentin Evropian. Mendoj që nuk duhet t’i shohim gjërat bardh e zi nuk duhet t’i ndërlidhim gjërat  të cilat nuk ndërlidhen në realitet. Ne duhet të diskutojmë dhe të zgjidhim çdo gjë sa më lehtë dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Mandl.

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, nuk pret që masat ndëshkuese të hiqen derisa në krye të politikës së Jashtme të BE-së të jenë Borrell dhe Lajçak.

”Nuk pres qe ata tani të bëjnë një veprim të tillë meqë deri më tani se kanë bërë fare s’do ta bëjnë. Dëmet kanë qenë të mëdha sepse ka qenë një numër i fondeve që i janë ndërprerë Kosovës. besoj se me zgjedhjet e ardhshme në BE do të vijnë në krye njerëz të përgjegjshëm që do të jenë të gatshëm të marrin vendime që nuk shkojnë në dëm të shteteve”, tha Arbëreshë Kryeziu nga Vetëvendosje për RTV21.

Në anën tjetër, opozita fajëson qeverinë për masat ndëshkuese që i mori nga BE-ja duke vlerësuar se e kanë dëmtuar Kosovën.

“Kosova është dëmtuar nga sjellja e qeverisë në masa të BE-së kanë kaluar shumë muaj dhe asnjë përgjigje nuk shihet,  edhe në takimin për MSA-në nuk pamë ndonjë indikacion që premtohet largimi  i këtyre masave në afat të shkurtër… e kanë dëmtuar ekonominë”. Sjellja e qeverisë në dialog ka derivuar  nga temat tjera dhe kapitale tashmë është  asociacioni dhe kësaj teme s’duhet t’i iket”, tha Armend Zemaj i LDK-së.

Në Odën Ekonomike të Kosovës vlerësojnë se dëmet nga masat ndëshkuese të BE-së janë të mëdha . Kryetari i kësaj Ode, Lulzim Rafuna, paralajmëron thellim të dëmeve nëse masat vazhdojnë të jenë në fuqi edhe më tej.

“Ndikimi i masave është në aspektin material dhe të imazhin faktikisht të motivimit të ardhjes së investitorëve të huaj. Në kuptimin material janë projekte që kanë kaluar 300 milionëshin të  cilat s’mund të zbatohen në Kosovë për shkak të masave dhe çështja më e keqe është që këto projekte kanë qenë të parapara për investime kapitale. të qenit në sanksione nuk është motivim për investitorët e huaj për investime në Kosovë”, tha Rafuna.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës BE-ja i vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit të vitit të kaluar./RTV21/21Media

Back to top button