Nesër grevë në të gjitha institucionet shëndetësore publike
Këshilli Qendror Grevist i Federatë së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se deri më tani nuk u është ofruar asnjë përgjigje e as nuk është caktuar ndonjë takim me krerët institucional në lidhje me kërkesat e adresuara tashmë publike, për këtë arsye është caktuar një grevë e përgjithshme.
“Greva e Përgjithshme e caktuar për nesër e Enjte datë 25.11.2021 do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në ora 15:00 në të gjitha institucionet shëndetësore publike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSSHK-së.
Punëtorët shëndetësor po kërkojnë rregullimin e gjendjes sociale përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari 2022.
“Grevën nuk e duam ne por atë po na e imponon injoranca e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Dy javë më parë, punëtorët shëndetësor kanë protestuar ku edhe kanë paralajmëruar grevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.
Në Kosovë, një kirurg fiton rreth 600 euro si pagë bazë.
Vetëm këtë vit në 8 muajt e parë 122 mjekë janë larguar nga vendi. Mesatarisht kanë qenë 31 vjeç. Mosha mesatare e mjekëve në qendrat e mjekësisë familjare është 57 vjeç. Pas 10 vitesh 1200 specialistë do të dalin në pension. Përveç kësaj, qindra infermierë janë larguar nga vendi./21Media