Shqipëria miraton dy marrëveshje me Kosovën pritet të nënshkruhen të premten

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar marrëveshjen për leje qëndrimet me Kosovën që iu lehtëson shtetasve të dy vendeve qëndrimin në vendet respektive duke i lehtësuar në procedura. Po ashtu, është miratuar edhe marrëveshja për mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë dhe konkretisht është marrëveshje për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore. Të dy marrëveshjet do të nënshkruhen të premten në Elbasan në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi deklaroi pas mbledhjes se marrëveshja për leje qëndrimin do të bëhet me një aplikim të thjeshtë dhe do të merret për pesë vite, ndërsa brenda lejes së qëndrimit përfshihet edhe leja e punës.
“Sot miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë ditën e premte në mbledhjen e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Marrëveshje që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Është një lajm shumë i mirë për shtetasit e Kosovës që tashmë do të marrim thjesht me një aplikim dhe pa dokumente menjëherë lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit edhe leja e punës dhe është lajm i mirë edhe për shqiptarët që banojnë apo punojnë në Kosovë të cilët do të marrin leje qëndrimi në Kosovë me procedura shumë më të lehtësuara se ç’janë sot. Vendimi i sotëm është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda atyre sektorëve që poërfshin Ministria e Brendshme”, deklaroi Çuçi.
Ndërsa, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës do të nënshkruhet edhe marrëveshja për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore.
Përmes kësaj marrëveshjeje, qytetarët e të dyja vendeve përfitojnë nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare.
“Marrëveshja është shumë e rëndësishme për të siguruar një trajtim të barabartë të të gjithë të punësuarve, punëmarrësve dhe të vetëpunësuarve, të cilëve konkretisht do t’i njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve në të dyja vendet. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Kosovë do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrëlindje, nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet. Kjo është një marrëveshje e cila më parë nga qeveria shqiptare është lidhur me shumë vende të tjera. Aktualisht janë 3100 shqiptarë që punojnë ose jetojnë ne vende të tjera dhe përfitojnë nga mbrojtja sociale që sigurohet nga kjo marrëveshje”, deklaroi Ibrahimaj.
Ndryshe, mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës do të zhvillohet në Elbasan, më 26 nëntor.

Back to top button