Nga Ministria e Infrastrukturës thonë se rrugët janë të kalueshme

Aktualisht të gjitha rrugët e Kosovës janë të kalueshme, kështu ka thënë Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Durmishi, i cili me bashkëpunëtorët e tij po monitoron disa nga rrugët e Kosovës pas rënies së vazhdueshme të borës, ka njoftuar se po punohet për t’u siguruar që rrugët janë të hapura për qarkullim.

“Edhe në këto orë të vona jemi në teren për t’u siguruar se po punohet me intensitet të shtuar në mënyrë që rrugët të jenë të kalueshme pavarësisht reshjeve të vazhdueshme. Në të gjitha shtatë regjionet kompanitë e kontraktuara janë në teren dhe aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme”, ka shkruar Durmishi në Facebook.
Tutje Durmishi  ka bërë thirrje për qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes së automjeteve.
“Lusim të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të kenë me vete pajisjet e nevojshme dhe të vozisin me kujdes të shtuar. Ne do të kujdesemi që ju ta keni sa më të lehtë lëvizjen nëpër rrugët që janë në kompetencë të MMPHI –së”, ka njoftuar Durmishi.

Pas reshjeve të borës në teren sonte ka dalur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ka thënë se edhe pse të gjitha kapacitetet e Komunës janë vënë në dispozicion, ende ka rrugë që paraqesin rrezik.
Kritika për Qeverinë për mosmirëmbajtje të rrugëve në kohën kur reshjet e borës që kanë vështirësuar trafikun rrugor, sot ka pasur Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj./21Media
Back to top button