Një përmbarueses i është hequr licenca, Haxhiu – qytetarëve: Raportoni

Duke qenë se profesionet e lira janë një nga objektivat specifike të fuqizimit të qasjes në drejtësi, që del si objektivë strategjike nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, fokusi i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë përmirësimi i ofrimit të shërbimeve nga profesionet e lira, që nënkupton ngritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara në njërën anë, dhe në anën tjetër shtimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të ligjshmërisë së punës së tyre.
Kështu deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për media të shtunën.
“Për këtë qëllim kemi ndërmarrë disa veprime, qoftë me nismat e nevojshme ligjore, por po ashtu me shfrytëzimin e fuqizimin e mekanizmave ekzistues institucional. Sa i përket noterisë, dje kam nënshkruar udhëzimin e ri administrativ për tarifat noteriale me të cilin ulen konsiderueshëm tarifat për shërbimet noteriale dhe lirohen në tërësi, për herë të parë, nga këto tarifa fëmijët pakujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga ligji për ndihmë juridike falas”, tha Haxhiu,  shkruan rtv21.tv
Rëndësi të veçantë, Haxhiu tha se i kanë kushtuar llogaridhënies dhe disiplinimit, dhe në kuadër të saj tha se është hera e parë që dje një përmbarueses i është hequr licenca e punës.
“Lidhur me rastin në fjalë, paraprakisht Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, me rastin e shqyrtimit të kësaj çështje disiplinore ndaj përmbarueses private, përkatësisht pasi komisioni ka gjetur se ajo ka kryer shkelje disiplinore, gjë që e ka bërë edhe më herët në mënyrë të përsëritur. Ka marr vendim për shqiptimin e masës disiplinore – shkarkim nga detyra”, tha ministrja.
“Ky është rasti të kuptojmë, apo më mirë me thënë që të kuptojnë të gjithë se ata që punojnë në kundërshtim me ligjin nuk mund të kryejnë detyra të cilat ua ka besuar shteti”, shtoi Haxhiu.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë shkeljet eventuale të përmbaruesve apo të noterëve, në dikasterin që drejton.
“Kemi shumë ankesa nga qytetarët për përmbarues e noter në Ministrinë e Drejtësisë”, përfundoi Haxhiu./21Media

Back to top button