Njerëzit e bllokuar në fabrikën e çelikut ‘midis jetës dhe vdekjes’

Vazhdojnë përpjekjet për të organizuar evakuimin e sigurt të mijëra civilëve që mbeten në qytetin e Mariupolit, i cili mund të përfshijë njerëz të bllokuar në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal.

Vendi, i rrethuar plotësisht nga trupat ruse, është xhepi i fundit i strehimit për ushtarët dhe civilët ukrainas. Ata po strehohen në rrjetin e gjerë të strehimoreve dhe tuneleve nëntokësore të uzinës, ndërkohë që furnizimet ushqimore mbarojnë shpejt.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit, Vadym Boychenko, tha për BBC se njerëzit atje ishin “në kufirin midis jetës dhe vdekjes”. Njerëzit janë duke pritur, ata po luten për një shpëtim. Është e vështirë të thuhet se sa ditë apo orë kemi për të shpëtuar jetën e tyre.”

Boychenko, i cili nuk është më në qytet, tha se kishte rreth 1,000 civilë në uzinë “duke lutur që të evakuoheshin” dhe se 600 prej tyre ishin plagosur. Disa prej tyre, tha kryebashkiaku, kishin qenë atje që në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, i nisur më 24 shkurt.

Mariupol është shkatërruar pothuajse tërësisht në luftë, dhe banorët e mbetur nuk kanë energji elektrike, ujë apo ngrohje. Me rrjetin telefonik jofunksional në pjesën më të madhe të qytetit, është e vështirë të verifikohen në mënyrë të pavarur informacionet ose videot që qarkullojnë në internet./21Media

Back to top button