Njohja reciproke me Serbinë e vetmja zgjidhje
Pas arritjes së marrëveshjes për targat përfaqësuesi i lartë për politik të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka paralajmëruar se do të fillojnë bisedimet intensive për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Propozimi i quajtur franko-gjerman, për të cilin shefi i diplomacisë evropiane Borrell tha se është plan Evropian i mbështetur nga Gjermania dhe Franca, siç është bërë e ditur deri më tani nga disa përfaqësues të pushtetit nuk parasheh njohjen reciproke Kosovë-Serbi por synon normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka hezituar që të japë hollësi për propozimin evropian për shkak të, siç thotë, konfindencialitetit. Por, thotë se synimi është për marrëveshje me njohje reciproke.
“Të përpiqemi që në çdo hap të mos harrojmë se zgjidhja finale me Serbinë është vetëm njohja reciproke asgjë tjetër. Ju e dini se ne planin franko-gjerman me kërkesë të partenrëve tanë që na kanë lutur që ta trajtojmë në mënyrë konfidenciale, unë nuk do ta thyej atë konfidencialitet, sepse ju takon autorëve të planit që ta prezantojnë plnin e tyre”, tha ajo.
Anëtarja e komisionit për Punë të Jashtme nga PDK, Ariana Musliu-Shoshi, e sheh problem serioz nëse në planin e quajtur franko-gjerman nuk parashihet njohja reciproke. Kërkon nga Qeveria që të jap detaje për planin ndyshe nuk do ta votojnë nëse do të vijë në Kuvend një marrëveshje e tillë. Ajo mbajti qëndrimin e shefit të partisë, Memli Krasniqi i cili deklaroi se marrëveshja siç është, pa njohje reciproke, nuk duhet të pranohet.
“Mendoj që gjithqysh njohja reciproke të jetë në qendër të kësaj marrëveshje”, tha Musliu-Shoshi.
Anëtarja tjetër e komisionit për Punë të Jashtme nga AAK, Time Kadrijaj, kërkoi që të ketë debat pushtet opozitë për përmbajtjen e propozimit evropian për marrëveshje finale.
“Kam dëgju prej oponentëve të VV-së p.sh Mimoza ka thënë se është faza e parë e dialogut që nuk përmbanë njohjen dhe është faza e dytë e dialogut që e përmbahet njohja. Duhet të jetë një konsensus të përcaktohen vijat se çka të pranohet dhe çka nuk duhet të pranohet dhe normal të kërkohet njohja”, tha Kadrijaj.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se është e vështirë të flitet për një afat të fundit për marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka shtuar se për këtë duhet të flasë Bashkimi Evropian. Por, tha se SHBA do të angazhohet fuqishëm që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të rezultojë i suksesshëm. Ai kërkoi angazhim intensiv për të dyja shtetet për të biseduar për propozimin evropian për marrëveshje përfundimtare.
Kryeministri, Albin Kurti, e ka cilësuar të mirë planin Evropian, por vetëm si bazë për vazhdimin e negociatave me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale me njohje reciproke. Deri më tani nuk ka dal zyrtarisht përmbajtja e propozimit evropian për marrëveshje finale./21Media