“Notën 2 e pikët maksimale në testet e arritshmërisë”, çfarë po bën Ministria për të evituar këto mospërputhje

Ditë më parë raporti i auditimit ka gjetur mospërputhje të velrësimit të nxënësve që bëhet ne shkollë me atë të testeve kombëtare dhe atyre ndërkomëbtare.
Lidhur me këtë Ministria e Arsimit ka në plan që të organizojë trajnime për vlerësimin e mësimdhënësve. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv  zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Iliriana Pylla.
“Po ashtu, është potencuar dallimi në mes të vlerësimit të nxënësve që bëhet në shkollë dhe vlerësimit që rezulton nga testi i arritshmërisë. Dallimet vënë në pah mungesën e kritereve të unifikuara për vlerësimin me bazë në shkollë dhe anomalitë e testit të arritshmërisë. Jemi duke punuar për adresimin e të gjitha këtyre problemeve. Në këtë drejtim është zhvilluar Udh. Adm. i ri, i cili ofron kritere më të elaboruara për vlerësimin e nxënësve në shkollë. Po ashtu, trajnimet për vlerësim do të trajtohen me prioritet.”, ka thënë Pylla.
Pylla pranon se raporti konstaton me të drejtë aktivitetin e pamjaftueshëm të departmenteve shkollore (aktivave profesionale), të cilat duhet t’i hartojnë planet mësimore dhe të monitorojnë realizimin e tyre.
“Ne jemi në proces të hartimit të udhëzimit te ri administrativ për menaxhmentin e shkollës, ku theksi do të vihet në organizimin e punës në nivel të departamenteve.Po ashtu, jemi në proces të organizimit të trajnimeve për mësimdhënës, në formën që bën të mundur maksimizimin e efektit të tyre”, ka thënë ajo.
Iliriana Pylla po ashtu ka bërë të ditur  se janë në përfundim të planit në të cilin janë marrë parasysh rekomandimet e raportit të auditimit.
“Plani Strategjik i Arsimit për periudhën 2022-2026 është në fazën e konsultimit të brendshëm dhe në fillim të qershorit do të nxirret në konsultim publik. Në këtë plan janë operacionalizuar shumica e rekomandimeve të dhëna në raportin e audimit. Megjithatë, posa ta marrim zyrtarisht raportin, brenda afatit ligjor ne do ta hartojmë një plan veprimi për t’i adresuar gjetjet e Raportit.”, ka thënë Pylla.
Ajo ka pranuar se ka pasur mangësi në organizimin e testit të arritshmërisë, gjë që edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në konferencën për media gjatë prezantimit të gjetjeve nga auditimi pat thënë: Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe drejtoritë komunale të arsimit, kanë ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo të mirë mes nxënësve.
Lidhur me këtë Pylla për portalin rtv21.tv ka thënë se numri i pyetjeve ka qenë i vogël për të vlerësuar në mënyrë objektive njohurinë e nxënësve në 9 lëndë shkollore, andaj sipas saj këtë vit kanë vendosur që testi i arritshmërisë të organizohet në dy ditë, në vend se një ditë siç ka qenë më herët, ndërsa numri i pyetjeve të rritet nga 100 në 180. “Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa për përmirësimin e adminisitrimit të testit, prandaj presim të kemi një rezultat më të besueshëm.”, ka bërë të ditur ajo./21Media

Back to top button