Mbi 15 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në qendrën më të madhe në Gjilan, në shkollën “Thimi Mitko”, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2019 ishin më shumë se 18 mijë.

Drejtoresha e shkollës, Sevdije Sadiku tha për KP, se procesi zgjedhor në këtë qendër-votimi ka nisur në orën 07:00 dhe është duke vijuar pa probleme.

“Para kësaj here kanë qenë diku rreth 18,110 votues të cilët kanë pasur të drejtë vote në këtë qendër, ndërsa këtë vit është një numër paksa më i vogël, diku rreth 15,670 votues të cilët kanë të drejtë vote në këtë qendër më të madhe të Gjilanit. Deri më tani në këtë orë të hershme nuk është një numër shumë i madh i votuesve, sepse për shkak ndoshta të reshjeve. Diku nga çdo klasë janë 18 në këtë shkollë, janë 1100 votues deri në këtë orë të ditës”, tha ajo.

Sadiku theksoi se çdo gjë ka nisur mirë dhe me kohë në këtë qendër të votimit, qoftë me materiale sensitive por edhe me organizime tjera.

“Deri më tani nuk kemi asnjë rast të cilin mund ta konsiderojmë se është si parregullsi… masat anti-covid po respektohen aq sa po mundemi. Këtu e kemi një person i cili është për vendosjen e maskës dhe distancës dhe higjienës”, theksoi Sadiku.

Përmes telefonit, zyrtari i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan tregoi se në këtë komunë janë 34 qendra votimi dhe 118 vendvotime.

“Të drejta vote kanë 94,923 votues, ndërsa 8100 votues janë më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara për shkakun e pastrimit të listës së votuesve që kanë pasur dokumente UNMIK-ut, të vdekurit dhe për votuesit që kanë aplikuar për të votuar përmes postës”, bën të ditur ai.