OBSH: Aprovohet vaksina kineze

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar kete te premte me emergjencë vaksinën anti-Covid të kompanisë kineze Sinopharm.

Kjo ishte vaksina e parë e zhvilluar nga një vend jo-perëndimor që merr mbështetjen e OBSH-së.

Vaksina u është dhënë tashmë miliona njerëzve në Kinë dhe gjetkë.

OBSH më parë kishte aprovuar vetëm vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna.

Rekomandohet që vaksina të administrohet në dy doza për ata të moshës mbi 18 vjeç.

Një vendim pritet në ditët në vijim për një vaksinë tjetër kineze të zhvilluar nga Sinovac, ndërsa vaksina Sputnik e Rusisë ende është duke u vlerësuar.

Pse ka rëndësi mbështetja e OBSH-së?
Drita jeshile nga ky institucion i shëndetit botëror është një udhëzues për rregullatorët kombëtar se një vaksinë është e sigurt dhe efektive.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se kjo do t’u jepte vendeve “besim për të shpejtuar miratimin e tyre rregullator”.

Kjo gjithashtu do të thotë që vaksina mund të përdoret në programin global Covax, i cili u krijua vjet në përpjekje për të siguruar qasje të drejtë në vaksinat midis kombeve të pasura dhe të varfura, raporton BBC nga Londra./E.D-21Media

Back to top button