OEAK: Zgjidhja e tensioneve në veri, thelbësore për investimet e huaja

Zgjidhja e tensioneve dhe nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil sipas Odë Ekonomike Amerikane, janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist që mund të tërheqë investime dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, OAK ka thënë se investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës.

Sipas OAK, tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se është e shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në.

“Oda Amerikane dëshiron të përsërisë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetëse e palëkundur e pavarësisë së Kosovës dhe kanë luajtur një rol kyç në krijimin e saj si shtet sovran. Përmes përpjekjeve diplomatike, SHBA-ja ka avokuar vazhdimisht për njohjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, duke promovuar integrimin e saj në institucionet globale dhe duke nxitur zhvillimin e saj ekonomik dhe politik. Po ashtu, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE. SHBA është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut./21Media

Back to top button