OKB: Nevoja për ndihma kurrë më e lartë se tani

Kombet e Bashkuara kanë thënë se është duke u rritur nevoja për ndihmë humanitare, teksa pandemia vazhdon të shtrihet dhe ndryshimet klimatike apo konfliktet shtyjnë njerëzit buzë urisë.
Agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se 274 milionë persona në gjithë botën do të kenë nevojë për ndihmë urgjente vitin e ardhshëm, çka shënon rritje prej 17 për qind në krahasim me vitin 2021.
Kjo nënkupton se një në 29 persona do të ketë nevojë për ndihmë më 2022, duke shënuar rritje prej 250 për qind prej vitit 2015 kur një në 95 persona ka pasur nevojë për ndihmë, është thënë në raportin e ri të agjencisë së OKB-së.
Shefi për ndihma në OKB, Martin Griffiths, ka thënë se numri i njerëzve që kanë nevojë për ndihma “nuk ka qenë kurrë kaq i lartë sa tani”.
Sipas OKB-së, për të ofruar ndihmë për 183 milionë persona më të cenueshëm në 63 shtete të botës, vitin e ardhshëm do të duhen 41 miliardë dollarë, në krahasim me 35 miliardë më 2021.
Raporti i ri ka shpërfaqur një pamje të zymtë të nxitur edhe nga konfliktet dhe jostabiliteti në shtetet si Afganistani, Etiopia dhe Mianmari.
Në kuadër të ndihmave humanitare, Bashkimi Evropian njoftoi sot se do të shpërndajë edhe 325 milionë euro për refugjatët në Turqi, pjesë e planit të ndihmës për këtë shtet. Turqia aktualisht strehon numrin më i lartë të refugjatëve në botë.
BE-ja qysh në qershor kishte miratuar planin për ta ndihmuar Turqinë me 3 miliardë euro nga 2021-ta deri më 2024-ën për të ndihmuar miliona refugjatë sirianë të strehuar në Turqi.
Fondet do t’u shpërndahen vet refugjatëve, duke ndihmuar kështu më shumë se 1.5 milion njerëz për të mbuluar nevojat bazë si ushqimi, qiraja, transporti apo ilaçet.
Një studim i fundit i kryer nga Gjysmëhëna e Kuqe turke dhe Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq ka zbuluar që niveli i borxhit në mesin e refugjatëve në Turqi është dyfishuar që nga shpërthimi i pandemisë./21Media

Back to top button