Këshilli i Sigurisë në Kombet e Bashkuara ka refuzuar një rezolutë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për zgjatjen e embargos ndaj armëve të Iranit, që pritet të skadojë në tetor. Ky refuzim mundëson që Washingtoni të veprojë mbi kërcënimet që mund të shkatërrojnë marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe zhytjen e OKB-së në krizë diplomatike .

Votimi më 14 gusht pritej të dështonte që nga fillimi për shkak të kundërshtimeve të fuqishme nga Rusia dhe Kina që kanë veto.

“Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dështuar sot të mbajë përgjegjës Iranin. I ka mundësuar sponzorit kryesor të terrorizmit që të blejë dhe te shesë armë vdekjeprurëse. Amerika do të vazhdojë të punojë për të përmirësuar këtë gabim”, tha sekretari i Shtetit, Mike Pompeo pas votimit.

Rezoluta e hartuar nga SHBA-ja do të mund të zgjaste një embargo ndërkombëtare të armëve mbi Iranin, që do të lehtësohet në mënyrë progresive duke filluar më 18 tetor, nën Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit, ku përfshihet marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe fuqive botërore.

Washingtoni ka kërcënuar të shkaktojë një “kthim mbrapa” të të gjitha sanksioneve të OKB-së mbi Iranin nëse vota e embargos dështon, veprim ky që ekspertët thonë se do ta hedhë Këshillin e Sigurimit në krizë.

Pompeo dhe iranianët e vijës së ashpër në Uashington pretendojnë se SHBA-ja mbetet “pjesëmarrëse” në marrëveshjen bërthamore sepse ajo u rendit si e tillë në rezolutën e vitit 2015 dhe për këtë arsye mund të sjellë sanksione, pasi Irani nuk ka përmbushur plotësisht angazhimet e tij bërthamore.

Rusia dhe Kina, si dhe vendet evropiane që ishin nënshkruese të paktit bërthamor të njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), kanë vënë në dyshim pretendimin e SHBA-së se është në gjendje të shkaktojë mekanizmin e kthimit, sepse u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe sërish vendosi sanksione ndaj Iranit.

Në përgjigje të tërheqjes së SHBA-së, Irani gradualisht filloi të shkelë angazhimet bërthamore.

Britania, Franca dhe Gjermania, kanë shprehur shqetësim lidhur me përfundimin e embargos, por e kanë kundërshtuar rezolutën e SHBA-së për shkak të frikës së përfundimit të marrëveshjes bërthamore.

Irani ka kërcënuar të dalë plotësisht nga pakti bërthamor dhe kishte bërë të ditur se do të tërhiqet edhe nga një traktat tjetër kryesor nëse embargoja e armëve zgjatet ose ekziston një kthim i sanksioneve. /21Media