Osmani falënderon Taha-n për Rezolutën e miratuar nga OIC-u

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdim të vizitës në New York, takoi sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Islamike, Hissein Brahim Taha.
Osmani e falënderoi Taha-n për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës nga shpallja e pavarësisë e mëtutje. Në veçanti, e falënderoi për Rezolutën që së fundi është miratuar nga OIC-u, me të cilën është bërë thirrje që të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate ta njohin Kosovën.
Në të njëjtën kohë, Osmani theksoi se për Kosovën është më rëndësi ta thellojë partneritetin me OIC për t’i luftuar sfidat globale dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Në këtë kontekst, tha se forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës i kontribuon paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon e më gjerë.
Presidentja theksoi rëndësinë e njohjeve të reja nga shtetet anëtare të kësaj organizate, duke potencuar se fuqizimi ndërkombëtar i Kosovës e rritë mundësinë për një Ballkan Perëndimor paqësor, të qëndrueshëm dhe të begatë./21Media

Back to top button