Osmani: Familja Haradinaj tregoi se liria është e panegociueshme

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit, me rastin e 25-vjetorit.
Ajo ka thënë se kjo është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për lirinë e vendit.
“Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet”, citohet Osmani në një komunikatë të Presidencës.
“Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike. Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim”, citohet tutje Osmani.
Haradinaj: Me zemër i them faleminderit Amerikës e NATO-s
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në një fjalim në Manifestimin e Epopesë së Gllogjanit, ku po merr pjesë edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur edhe për fillimin e bombardimeve të NATO-s.
“Më kujtohet më 24 mars 1999, kemi majt një takim përkujtues të kësaj dite, ( 24 mars 1998), ishim rreshtue njësitë, ato që kishim mbetur në kamë edhe me një fjalim që shihet edhe xhirime këtu, ju premtova bashkëluftëarëve se kanë mbetur edhe pak ditë apo javë deri në liri. E vërteta ishte se atë ditë në mbramje, si me ardh prej Zotit, erdhën sulmet e NATO-s, të prira prej Amerikës . Pra, kjo ditë për shqiptarët është lajmi më mirë që kanë mujt me marrë një popull që kish luftu përmbi 1 vit, që kishte dhënë shumë jetë, shumë gjak, shumë shkatërrime, i erdhi në ndihmë forca më e madhe ushtarake e botës e vendeve demokratike, e prirë prej Amerikës që është simbol i lirisë” ka thënë Haradinaj.
Tutje kreu i AAK-së ka thënë se lufta s’ka pasur afate kohore e as kufizime, por intervenimi i aleatëve përshpejtoi lirinë.
Kurti: Mesazhi që Serbia e mori nga Haradinajt “s’gjunjëzohet kulla, s’mposhtet UÇK-ja”
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në 25-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, ku nga atje tha se pas rezistencës së pashembullt të Jasharëve në Prekaz, erdhi edhe qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj e Mehmetaj më 24 mars 1998.
Kurti tha se mesazhi që Serbia fashiste nga kulla e bacës Hilmi ishte “nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova”.
Kreu i qeveri kujtoi pozicionet që kishin marrë ushtarët aso kohe në mbrojtje të vendit.
Kurti: Familja Haradinaj e di vlerën e lirisë
Në shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se familja Haradinaj e di vlerën e lirisë dhe të ushtrisë. Ai tha të premten se familja Haradinaj është familje dëshmorësh e kombit shqiptar.
“Familja Haradinaj ia di vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit me gjeneral nga lufta. Ushtria është pjesë e paanshme e kësaj familjeje. Sot me ushtrinë tonë e kemi Luanin toger, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformen e FSK-së. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, bombardimet e NATO-s e ndalën gjenocidin e regjimit fashist të Slobodan Milosheviqit.
“Në aspektin politik, Bill Clinton, në atë diplomatik Madeleine Albright, në atë informues James Rubin, në atë ushtarak Wesley Clark. Bombardimet e ndalën gjenocidin ndaj kombit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit. Ky akt i dha mbështetjen të fuqishme vendit tonë jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në konfirmimin e fuqishëm se e drejta ishte në anën tonë dhe Serbia ishte agresori i cili po kryente gjenocid mbi popullin e Kosovës”, u shpreh ai.
Para kësaj ceremonie Kurti, bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.
Pas homazheve, kryeministri Kurti ka shkruar edhe në librin e përkujtimeve, ku është shprehur se dëshmorët janë dëshmia historike e popullit shqiptar “për të jetuar në paqe në vendin e vet”.
Homazhe në Gllogjan ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
25-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Haradinaj bën homazhe në Gllogjan
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Homazhe ne këtë memorial kanë bërë edhe pjesëtarë të FSK-së.
Shënohet 25-vjetori i Epopesë së Dukagjinit
Sot bëhen 25 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, që ndryshe njihet Epopeja e Dukagjinit.
Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete, e cila njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kabinetin qeveritar nga ora 11:30 bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa nga ora 11:40 Kurti, viziton familjen Haradinaj.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.
Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./21Media