Osmani: Liria do të jetë e plotë, kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Xhemajl Mustafën, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së tij.
Ajo ka thënë se vepra e Mustafës mbetet shembëlltyra më e mirë se si punohet urtësisht për vendin, pa u ndalur, deri në vdekje. Osmani ka shtuar se  liria do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e Mustafës, sikur edhe të shumë veprimtarëve të tjerë të vrarë pas luftës.
“Xhema qe i veçantë, siç qe e veçantë urtia dhe sjellja e tij në politikë dhe në jetë. Ai qe guximtar i vendosur, vizionar dhe këmbëngulës në qëndrimet e tij, por i butë në sjellje. Intelektual i mirëfilltë, Xhema i vuri themelet e informimit të drejtë të opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës. Ne do ta kujtojmë përjetësisht Xhemën tonë. Vepra e tij mbetet shembëlltyra më e mirë se si punohet urtësisht për vendin, pa u ndalur, deri në vdekje. E them sërish që liria do të jetë e plotë vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për vrasjen e tij, sikur edhe të shumë veprimtarëve të tjerë të vrarë pas luftës”, ka shkruar Osmani.
Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor në vitin 2000 në Prishtinë, deri sa po hynte në banesën e tij, ai u qëllua për vdekje me armë zjarri nga dy persona. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare, la pas gruan dhe fëmijët e tij./21Media

Back to top button