Osmani në Bruksel: Këtë herë na dëgjoni për vizat e na leni ty hyjmë brenda familjes së BE-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke përmendur se Kosova është një vend që ka dalë nga lufta ka shprehur përkrahjen e plotë për popullin e Ukrainës në fjalimin e saj në takimin e e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.”, ka thënë ndër tjerash Osmani.
Tutje Osmani ka ngritur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni. Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës, Osmani po ashtu ka shprehur përkrahjen për anëtarësimin e Maedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.”, ka deklaruar Osmani.
Ndërkohë ajo ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE, për çka shpreson në mbështetjen e tyre.
“Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.”, ka thënë presidentja Osmani.
Në fund, Vjosa Osmani para deputetëe ka thënë se Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. “Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!”, ka përfunduar presidentja e Kosovës./21Media

Back to top button