Osmani: Nëpërmjet filmit, filmbërësit po e tregojnë rrëfimin e Kosovës

Presidentja, Vjosa Osmani ka qenë dje e pranishme në premierën e filmit ”Zgjoi”, që u shfaq në Prishtinë.
Osmani e quajti nder dhe kënaqësi praninë e saj aty, madje ajo theksoi se nëpërmejt filmit, filmbërësit po e tregojnë rrëfimin e Kosovës.
”Kur një histori dhimbjeje, frymëzimi, sakrifice, përkushtimi, humbjeje e triumfi siç është historia e znj. Fahrije Hoti dhe e grave të Krushës vjen nën interpretimin maestral të aktorëve tanë të jashtëzakonshëm në krye me Yllka Gashin, e shfaqet në ekran me profesionalizëm nën regjinë e një regjisoreje të shkëlqyeshme si Blerta Basholli – rezultati final s’mund të ishte asgjë më pak se sa një krijimtari artistike për ta pasur zili edhe bota. Ditë pas dite, sukseset e kinematografisë sonë sa vijnë e bëhen më kolosale.  Ata tashmë janë ambasadorët tanë, nëpërmjet të cilëve Kosova po hap kapituj të ri të lavdisë! Ju faleminderit që historinë tonë po e shndrisni me gjurmë të suksesit. Ju priftë e mbara”, ka shkruar Osmani në ”Facebook”.

Ndryshe, dje në Cineplexx është dhënë premiera e filmit ”Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli. Ky film ka fituar plot tri çmime të rëndësishme në festivalin ”Sundance”, i njëjti është edhe propozim i Kosovës në ”Oscars 2022”, dhe do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë./21Media

Back to top button