Osmani për BE-në: Kur nuk ke barazi në proces negociues, askush s’duhet të ëndërrojë për rezultate
(Lajm i plotësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se negociatat me Serbinë kanë ngecur sepse shtetet nuk po trajtohen barabartë.
Ajo ka përmendur zotimet e papërmbushura nga Serbia të dala nga procesi i dialogut, teksa ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrat e veta.
“Nëse shohim listën e zotimeve që Serbia nuk i ka përmbushur… është shumë shumë e gjatë, do të na duhej deri nesër që ta lexonim. Është e lehtë ta konfirmoni, mos besoni interpretimin tim. Zgjidhni cilëndo marrëveshje, qoftë marrëveshja për lëvizje të lirë, marrëveshjen për njohjen e diplomave, njohjen e dokumenteve të tjera e të tjera, asnjëra nuk janë zbatuar, as ajo që obligon Serbinë që t’i largojë strukturat paralele ilegale nga Kosova, por fillimisht në veri. Por çfarë ka ndodhur është se në vend të heqjes së tyre, Serbia i ka forcuar vazhdimisht në atë masë sa këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafie dhe janë kthyer në rrezikun më të madh për serbët e veriut”, ka thënë ajo nga samiti i sigurisë në Pragë.
Osmani ka theksuar se pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe mospërmbushjes së zotimeve, Kosova po mbahet nën masa.
“Pavarësisht të gjithë kësaj dhe listës së moszbatimit nga Serbia, gjeni cila palë është nën masa të BE. Është pala që është 100% në linjë me BE-në, pala që asnjëherë nuk merr armë nga Rusia, Kina apo Irani, është pala që 95% e popullit të së cilës janë në favor të BE-së, pala që kurrë nuk ka kryer akt agresioni ndaj fqinjëve të saj, që nuk destabilizon fqinjët, që nuk përdor rusët MIG të fluturojë mbi fqinjët e saj, kjo është pala që është nën masa. Është Kosova. Prandaj tavolina është përmbys. Kur nuk ke barazi qysh në themel të çfarëdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që edhe mund të zbatohen në terren”, ka thënë ajo.
Osmani: Vuçiqi i ktheu strukturat ilegale paralele në Kosovë në banda mafioze
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Madje ajo tha se nuk e ka zbatuar as atë që ajo e konsideron si më të rëndësishmen, për shpërbërjen e strukturave ilegale paralele në Kosovë.
Në vend që t’i shpërbënte ato struktura, presidentja Osmani në diskutimin në Forumin GLOBSEC 2024, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq i ka forcuar ato duke i shndërruar në “banda mafioze”.
“Asnjë prej marrëveshjeve nuk është zbatuar, veçanërisht ajo e rëndësishmja e vitit 2013, e cila e obligon Serbinë që t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale paralele nëpër Kosovë, në veçanti në veri. Ajo që ka ndodhur këto 10 vjet, është që në vend që t’i shpërbëjë ato struktura, Serbia vazhdimisht i ka forcuar ato deri në atë pikë sa që këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafioze dhe janë kthyer po ashtu në rrezikun më të madh për komunitetin serb që jeton në veri të Kosovës. Këto struktura ilegale janë grupe kriminale që paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, dhe tani pasi që kryen një akt agresioni kundër Kosovës në shtator, u fshehën nga Serbia në Serbi në mënyrë që të mos përballen me drejtësinë për aktin e agresionit”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit nga grupi i Millan Radoiçiqit në Banjskë 24 shtatorin e vitit të kaluar.
Ajo tha se ata dyshohen edhe për krime tjera, si “vrasja e politikanëve serbë, djegia e shtëpive dhe veturave të serbëve në veri, si kërcënimin e fëmijëve në kopshte… Pra, ata që po vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara dhe mbështetura nga Vuçiqi në Serbi, janë në të vërtetë serbët në Kosovë”.
Osmani tha se të gjitha këto kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërsa kritikoi BE-në që po i vë masa Kosovës, e jo Serbisë.
“Pavarësisht gjithë këtyre, qëlloni se cila është pala nën masa të BE-së? Është pala e cila është 100 për qind e harmonizuar me BE-në në çdo politikë vendimmarrëse të jashtme e të sigurisë, është palë që kurrë nuk blen armë nga Rusia, Kina apo Irani, është palë ku 90 për qind e popullit janë në favor të BE-së, është pala që asnjëherë nuk ka kryer akt agresioni kundër fqinjëve, që nuk destabilizon fqinjët, nuk organizon grusht-shtete kundër fqinjëve, që nuk përdor MIG29 rusë që të fluturojë mbi fqinjët e vetë. Kjo është pala që është nën masa – Kosova. Prandaj, tavolina është e rrëzuar”, potencoi Osmani në diskutimin në forumin GLOBSEC në Pragë.
Osmani: Me SHBA-në kemi mospajtime në qasje, jo në synimin final
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dallimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë te synimet finale, por qasja për të arritur te to.
Ajo i ka vlerësuar si më të rëndësishmet nga të gjitha të tjera marrëdhëniet me SHBA-në.
“Sigurisht se do dëgjoni kohë pas kohe deklarata mospajtimi mes zyrtarëve në SHBA dhe Qeverisë së Kosovës sa u përket disa qasjeve, por kurrë për synimet përfundimtare ose vlerat fundamentale që i ndajmë. Nuk ka mospajtime në faktin se Kosova dhe SHBA-ja duan një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme, multietnike, të bazuar në Kushtetutë. Por, nganjëherë qasja drejt ruajtjes së Kosovës demokratike, sovrane dhe të fortë dhe se si e arrijmë atë, mund të dallojë. Qasja, taktikat, nuancat, ka ndryshime në to. Por, nuk ka asnjë ndryshim në atë se çfarë Kosove duam, cilat janë vlerat fundamentale për shtetet tona dhe marrëdhëniet tona. Kur thelbi është i shëndoshë, të tjerat pavarësisht sfidave mund të tejkalohen”, ka theksuar ajo në forumin global të sigurisë “GLOBSEC 2024” në Pragë.
Ajo ka thënë se kur nuk ka koordinim me aleatët suksesi mund të jetë momental dhe i brishtë .
“Mospajtimi nuk është sa i përket rrugës, ndoshta vetëm shpejtësia me të cilën ecet. Nuk dua të them se krejt situata është e qartë. Kam pasur njëzet vjet përvojë në politikë dhe koordinimi me aleatët është kyç, një prej aspekteve më të rëndësishme të suksesit tonë, sepse kur koordinohemi me aleatët tonë suksesi është më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë, dhe kur nuk e bëjmë këtë është vetëm një sukses momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por pastaj është më i brishtë si sukses dhe pastaj mund të bëhen hapa prapa. Si presidente ky është qëndrimi që mbajë dhe unë besoj fuqimisht, dhe këtë e kemi parë, e mësuar, kur ke aleanca të fuqishme këtu e ke fuqinë. Fuqia më e madhe si vend bazohet në partneritetin tonë dhe kjo na ka mbajtur të fuqishëm, pavarësisht sfidave, dhe jo secili në Kosovë pajtohet me këtë që them unë. Dallimi midis Kosovës dhe SHBA-së, sa shpejt ecin në një drjetim, nuk është fjala për drjetimin apo destinacionin”, ka thënë Osmani.
Ajo përmendi faktin që 97 % e popullsisë në Kosovë që e shohin vendin amerikan si aleati më primar.
“Marrëdhënia midis SHBA dhe Kosovës është diçka që kemi ndërtuar ndër vite. Na janë gjetur përkrah në periudhën më të errët të vendit, për të shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja që ishte planifikuar. Ky ka qenë themeli i asaj çfarë kemi ndërtuar për 25 vjet me radhë, por që shkon edhe më tej sepse SHBA-të i kemi parë si lider të botës demokratike dhe liderët kanë qenë shumë të zëshëm në kuptimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë”, deklaroi Osmani.