Osmani për çështjen e dinarit: Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike

Presidentja e e Kosovës Vjosa Osmani tha se me emisarin e Miroslav Lajçak nuk kanë diskutuar për çështjen e dinarit.

Megjithatë sipas presidentes “do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike.

“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë”, tha Osmani.

“Tani, sa i përket kësaj çështje, neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tash. BQK e ka kryer punën e vet… Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani para gazetarëve, pas homazheve te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Osmani tutje shtoi se me Lajçakun folën për draftstatutin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe. Tha se ai i mirëpriti shqetësimet e Osmanit në lidhje me këtë draft.

“Sa i përket çështjes së draftstatutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, nga fillimi kur ai draft është prezantuar kam prezantuar shqetësimet e mia, këto komente i kam diskutuar më detajisht në takime të mëvonshme me zyrtarë të QUINT-it. Lajcaku i ka mirëpritur dhe ka shprehur besimin që shumica prej tyre mund të akomodohen. Jam e bindur që kurdo qe ky draft pas formalizmit të marrëveshjeve kurdo që shkon në Kushtetuese në atë moment secili prej nesh do të kemi mundësinë që të tregojmë argumentet tona”, ka theksuar Osmani, në një deklarim për media pasi që ka barë homazhe te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij./21Media

Back to top button