Osmani: Përvoja jonë mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim një delegacion të Rrjetit Global të viktimave dhe të Mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia.
Osmani tha se historia më e re e Kosovës bart në vete rrëfimin e trishtë të mbi 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Në këtë kontekst, presidentja përmendi guximin e ish-deputetes Vasfije Krasniqi, e cila tri vjet më parë dëshmoi në Kongresin Amerikan për dhunimet e kryera nga forcat gjenocidale serbe, duke kërkuar drejtësi.
Osmani theksoi se liria e fituar nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat dhe dënim për autorët.
Ajo e njoftoi delegacionin nga Ukraina dhe Kolumbia se me propozimin e saj, 14 Prilli në Kosovë shënohet si dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke rikonfirmuar se si presidente e vendit do të jetë zëri i këtyre grave çdo ditë.
Presidentja e njoftoi delegacionin se në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, me të cilat personave të dhunuar gjatë luftës u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me të cilën gjë u mundësohet pensioni ligjor.
Sipas Osmanit, përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Në këtë drejtim, ajo theksoi se populli i Kosovës është në krah të popullit ukrainas dhe se do të vazhdojë mbështetjen ndaj tij me të gjitha mundësitë./21Media

Back to top button