Pacolli: Do ta realizojmë amanetin e Presidentit Rugova

Hoti ka thënë se me qeverisjen e koalicionit të shpresës, Kosova do të shndërrohet në shtet të së drejtës

“Jemi këtu për ta mbështetur shpirtërisht dhe me krejt çka është në mundësitë tona Dr. Avdullah Hotin, për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Ai është njeri i fjalës dhe ne duhet ta mbështesim me votën tonë me datën 11 qershor. Unë erdha me AKR-në dhe krejt çka kisha, në shtëpinë tonë të përbashkët, në shtëpinë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova”.

Kështu ka thënë Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli në hapjen e Fushatës Zgjedhore në komunën e Deçanit, ku bashkë me partnerët e koalicionit LDK-LD-Alternativa, kanë bërë prezantimin e kandidatit për kryeministër Avdullah Hoti si dhe kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Presidenti Rugova e donte bashkimin, ne tash jemi bërë bashkë dhe jemi të vendosur ta realizojmë porosinë e Presidentit Rugova për një Kosovë dinjitoze dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Ne jemi ata që do ta ndërtojmë Kosovën dhe do ta zhvillojmë atë ekonomikisht”, ka shtuar ndër të tjera Presidenti i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, i cili ju bëri thirrje deçanasve që me datën 11 qershor ta përkrahin kryeministrin e ardhëm të Kosovës, Dr. Avdullah Hotin.

Ndërsa kandidati i koalicionit AKR-LDK-LD-Alternativa, për kryeministër Avdullah Hoti ka thënë se me qeverisjen e koalicionit të shpresës, Kosova do të shndërrohet në shtet të së drejtës dhe të ardhmes së mirëfilltë për qytetarët e Kosovës.

Ai ka shtuar se programi që ofron koalicioni i shpresës është alternativa e vetme, që siguron rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët e Kosovës./21Media

 

Back to top button